Përtej imazhit të bregdetit të zhurmshëm, Durrësi ofron një vijë bregdetare të pafund, nga plazhet ranore me pisha të paprekura nga dora e njeriut e deri te gjiret shkëmbore me ujë të kulluar të përshtatshme edhe për turizmin aventuresk.
Në kohë si këto, kur e gjithë bota është pushtuar nga pandemia e COVID-19, janë pikërisht këto gjire që po tërheqin gjithnjë e më tepër turistët vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të plazhit të Gjirit të Portez, në Durrës, duke e promovuar atë si një destinacion turistik.
Nëse kalon Spitallën dhe vazhdon të ecësh drejt në një rrugë të shtruar, menjëherë sapo lë pas depozitat e karburanteve, pamja është komplet tjetër.
Pas një kodre të vogël shfaqet Gjiri i Portezit, një plazh i vogël dhe i qetë me rërë dhe ujë kristal, ku mund të kalohet një ditë e këndshme, larg rrëmujës së plazheve masive të zonës qendrore të Durrësit.