Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përfundoi sot aksionin në Tepelenë, në gjurmën ku do të ndërtohet loti I i bypass-it Tepelenë. IKMT prishi 6 objekte të shpronësuara me lartësi nga 1 deri në 3 kate, me funksione të ndryshme.

Bypass-i i Tepelenës një nga investimet më të mëdha dhe strategjike të zhvilluara ndonjëherë në qytetin jugor të vendit, lidh segmentin Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Kakavijë. I cilësuar ndryshe edhe si “Ballkoni i Jugut”, vepra infrastrukturore i shton bukurinë dhe rrit standardet urbane, krahas krijimit të mundësive për investime të reja në fushën e turizmit.

Ky është një investim i qeverisë, në vazhdën e projekteve të zhvillimit të infrastrukturës së vendit, që i jep zgjidhje njëherë e përgjithmonë problemeve në këtë pjesë të rrugës me gjatësi 1.8 km, që shpesh ishte burim aksidentesh.