Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, theksoi sot se “ndryshimet kushtetuese që votohen nga Kuvendi më datë 30 korrik janë çelësa të hapur për një hap të rëndësishëm që mendoj se i ka ardhur plotësisht koha, e që i përfshin qytetarët më shumë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Kuvendit”.
Në një intervistë televizive Balla theksoi se “deri në vitin 2017, qytetarët ftoheshin të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjeve vetëm për të votuar për partinë që ata preferojnë”. “Tashmë qytetarët do të kenë mundësinë që në një normë të caktuar, e cila do të dakordësohet, të përzgjedhin kandidatët brenda listave të partisë”.
“Nëse hedhim një sy në Europën ku duam të anëtarësohemi dhe të bëhemi pjesë e saj, numri i vendeve që kanë lista të mbyllura gjithmonë ka ardhur në rënie, ndërkohë numri i vendeve që aplikojnë listat e hapura është gjithmonë në rritje”, – tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se “dakordësia e dhënë të premten nga ana e opozitës joparlamentare për diçka që ne kemi muaj që punojmë me opozitën parlamentare që ka të bëjë gjoja me një dakordësi 100% të opozitës jashtëparlamentare me hapjen e listave është edhe kushtëzimi i saj me diçka shumë të thjeshtë. Kush ka sy ta shikojë dhe kush ka veshë ta dëgjojë. Ajo që ka ndodhur dhe duhet të ndodhë domosdoshmërisht është hapja e listave. Ajo duhet shoqëruar me një tjetër formë koalicioni, jo me heqje koalicioni”.
“Hapja e listave nuk ka të bëjë me heqje koalicionesh. Hapja e listave bën të domosdoshëm që koalicionet të ndërtohen mbi një frymë që është në të gjitha vendet ku ka lista të hapura. Kosova jonë e dashur mund të merret si shembull, megjithëse ka një proporcional kombëtar”, – tha Balla.
Balla tha se “në skemën aktuale të koalicioneve ato ekzistojnë, ato do të jenë, por është thjesht një alibi e PD dhe shtojcave të saj, ku në pamundësi për të kundërshtuar hapjen e listave, kanë gjetur një kusht që nuk ekziston”.
Ai shtoi se “ne do t’i fitojmë zgjedhjet në 9 maj. Por unë e di fare mirë që në Tiranë nga 35 kandidatë do të kemi 18, por do të luftojmë për të 19-in. PD ka 35 kandidatë. Në 2017 ka marrë 11 kandidatë, po shtoj edhe 3 të LSI-së, do të marrë 14 deputetë. Koalicionet në formën që janë, janë një deformim i demokracisë”.
Sipas tij, hapja e listave nuk është tabu, por do të ndodhë brenda tri ditësh.
“Në 30 korrik Kuvendi do të votojë për të hapur çelësat. Erdhëm me një moment që me opozitën parlamentare, kemi dakordësuar një marrëveshje në qershor apo korrik të 2019, që reforma zgjedhore të përmbyllet brenda një afati. U dakordësuam që në fillim të përmbyllim pjesën e administrimit, por së dyti kemi thënë me të përmbyllur këtë, duhet të hulumtojmë ndryshimin e sistemit. Nuk po ndryshojmë sistemin, por kemi hapur listat”, – tha Balla.
Duke i bërë apel opozitës jashtë parlamentit Balla theksoi “të mos fshihen pas gishtit, por nëse realisht janë për hapjen e listave, ndryshimet e propozuara në Kushtetutë, e mundësojnë edhe 100 % hapjen e listave”.
“Të mos gënjejnë veten, të mos gënjejnë në studio, të mos gënjejnë gazetarët dhe miqtë e Shqipërisë se gjoja këtu po hiqen koalicionet. Nuk është aspak e vërtetë. Ky ndryshim kësaj radhe i Kushtetutës është modernizim, sepse ka hequr në Kushtetutë disa rregullime që nuk i takojnë Kushtetutës. Shqipëria jonë e dashur nuk është Shqipëria e 2009-ës, ajo që dëshiron PS të realizojë përmes këtyre ndryshimeve është angazhim i kahershëm i yni”.
Balla tha se “Partia Socialiste synon t’u garantojë qytetarëve më shumë akses në proceset vendimmarrëse”.
Sipas tij, kjo qasje dhe gjithëpërfshirje është faktor kyç për zhvillimin e demokracisë.
“Duam që përfshirjen më të madhe të njerëzve, të mos e lëmë në kuadrin e fjalëve, por të kalojmë në lëminë e veprave. Ne duhet domosdoshmërisht t’i përfshijmë njerëzit më shumë. Sa më shumë përfshihen qytetarët në monitorimin e pushteteve, sa më shumë përfshihen njerëzit në vendimmarrje, aq më e mirë bëhet demokracia”, u shpreh Balla.