Kreu i PS-së Edi Rama u shpreh se vendimi për hapjen e listave nuk lidhet me kalkulimet elektorale. “Ndryshimet nuk vijnë si rezultat i kalkulimeve tona elektorale, PS-ja është partia më e madhe e shqiptarëve sot, mbas një viti kur të bëhen zgjedhjet të shohim. Por pa asnjë diskutim, PS-ja nuk ka asnjë lloj qëllimi tjetër përveç se të përmirësojë Shqipërinë dhe ti japë sa më shumë shanse. Nuk ka asnjë lojë, apo pazar. Opozita parlamentare ndihet e kërcënuar nga numërimi partiak, kanë të drejtën e tyre, i kuptoj. Opozita parlamentare nuk mund të marrë gjithcka që kërkon, opozita jashtë parlamentare ndihet e kërcënuar nga hapja e listave, por nuk mund ti marrin të gjithë. Por kjo PS-ja që është forca më e madhe, ka të drejtën e vet të ketë ndonjë dëshirë, ka vetëm në këtë proces, që të gjithë të tjerët të marrin sa më shumë nga ajo që kërkojnë, për ne është OK” tha ai.