Kryeministri Edi Rama deklaroi se me hapjen e listave ndalohen koalicionet parazgjedhore.

Në një komunikim me gazetarët Rama pati dhe një përgjigje për PD e cila kërkon sa më shpejt kalimin në Kuvend të marrëveshjes së “Zgjedhores”. “Kërcënimet nuk e ndihmojnë procesin, peng PS-në dhe Kuvendin nuk e merr dot askush nga jashtë kuvendit”- tha Rama.

“Marrëveshja e 5 qershorit u realizua si rezultat i gatishmërisë sonë, që bëmë çdo lëshim. Unë kam qenë edhe në opozitë, por është hera e parë, që marrëveshjen e bëri si donte opozita nga ‘A’-ja te ‘ZH’-ja duke shkelur mbi veten tonë.

Unë nuk kam më shumë respekt për ata që janë jashtë se ata që janë brenda parlamentit. Nuk është këmba ime në një këpucë sot për shkak aritmetik që na çon ne në konkluzionin që duhet të hapim listat, por është bindja jonë, që populli kërkon diçka që duhet t’ia japim atë që kërkon.

Nuk kam unë dëshirë që të vazhdoj të pikturohem si njeriu që do të kontrollojë gjithçka, do listat e mbyllura. Por koha do e tregojnë se nuk janë recetë çudibërëse. Unë besoj që mundësia që qytetarët të kenë edhe një zgjedhje preferenciale në listën e deputetëve në subjektin politik që zgjedhin është absolutisht detyrim në këto kushte.

Nevoja e një lidhje me direkte dhe një pranie më të madhe të të zgjedhurve pranë zgjedhësve mund të shërbehet më mirë, kur deputeti e di që rikonfirmimi i tij do të varet nga mendimi i qytetarëve.

Patjetër që listat e hapura e bëjnë të pamundur formulën aktuale të koalicioenve, se i bie që të kemi në një fletë votimi, llogariteni, artimetikisht, 40 parti këtej dhe 40 andej, nga 35 kandidatë në Tiranë, një fletë votimi që do të ishte një qilim nga universiteti deri te monumenti i Skënderbeut. Por kjo nuk do të thotë se kemi ndonjë tendencë apo qëllim që të pengojmë marrëveshjet, kjo është cështje e tyre.

Opozita jashtë parlamentare ka zero alibi për të kërkuar apo pretenduar garancitë, se është pjesëmarrje në proces. Ideja se hapja e listave prish marrëveshjen është një çmenduri. Kërcënimet nuk e ndihmojnë procesin, peng PS-në dhe Kuvendin nuk e merr dot askush nga jashtë kuvendit, as me forcë as me shantazhe.

Rrugët e padenja për të garantuar shumica për ta çuar sistemin drejt ndonjë ndryshimi që do të prodhonte rënie të cilësisë së demokracisë, por që të diskutosh si problem hapjen e listave dhe ta konsiderosh cenim të integrimit është marrëzi”, tha Rama.