Fotografimi i ish eurodeputetit Knut Fleckenstein i ulur në shkallët e një pallati në Tiranë, ka rizgjuar edhe njëherë altilerinë mediatike dhe politike pranë opozitës, të cilët janë hedhur përsëri në sulm frontal ndaj tij.
Me doza të forta ironie, hipoteza çudie, apo fantazi të shfrenuar, mjaft shkrime të publikuara shoqëruan të gjithë ditën e djeshme për ta portretizuar figurën e tij si një endacak që i ka mbetur peshqesh Shqipërisë duke lypur në rrugët e kryeqytetit.
Por goditja dhe tentative për denigrimin e tij me urdhër të qartë politik nga prapavija e Partisë Demokratike, nuk është ndonjë lajm i ri pasi kjo është bërë që në ditën e parë kur reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian rrefuzoi të shkojë në “Çadrën e Protestës” duke zgjedhur takimet institucionale dhe jo mitingjet partiake që synonin rrëzimin e një pushteti dhe ngritjen e një tjetri.
Madje balta ndaj tij nuk është kursyer as në ditët kur politikani gjerman sfidonte steriotipet e BE-së duke u përpjekur të prezantojë sa më mirë Tiranën Zyrtare.
Por së fundmi, balta ka një shije tjetër pasi pakënaqësia qëndron në faktin se ai ishte ulur në shkallët e një pallati me bllok në dorë dhe nuk ishte në ndonjë veturë luksoze, makinë të pronotuar posaçërisht për të apo ndonjë restorant. Ky është problemi i cili duket se ka përbërë një skandal.
Nëse për opozitën lajm është fakti se një politikan ulet në shkallët e një pallati, mbase duhet t’i kujtojmë se në botën perëndimore ku synojmë të integrohemi lajm është kur një politikan grabit taksat e qytetarëve të tij, ndërron vilën e banimit si të ishin çorape apo shfaqet tekanjoz për të përzgjedhur ngjyrën e makinës me të cilën do lëvizi.
Janë të zakonshme momentet kur ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron shfaqej duke ngrënë sanduiç në rrugë, apo kancelarja gjermane Angela Merkel shkonte të bëntë pazaret në market me veshje të zakonshme shtëpie. Kjo jo për të bërë krahasime mes individësh por për të treguar se kulti që i kemi ngritur politikanëve tanë duke i dhënë privilegje të jashtëzakonshme, qoftë duke i parë si qenie që do të ishte turp nëse do silleshin si njerëz të zakonshëm.
Gjithësesi, meqenëse politika shqiptare duket se synon gjithnjë të tërheqë politikanë të huaj, le të heqim një paralele me një tjetër importim gjerman, atë të Partisë Demokratike që ka kontraktuar Martin Henze.
Ky i fundit qysh në krye të herës është prezantuar nga kryedemokrati Lulzim Basha si këshilltar personal i Angela Merkel apo “krahu i djathtë” i kancelares gjermane i cili do të ndërtojë strategjinë e qeverisë “Basha”.
Ndërkohë, fill pas përgënjeshtrimit të parë, ai nisi të prezntohet thjesht si këshilltar ekonomik i CDU-së edhe pse kjo forcë politike përmes reagimeve të saj ka përgënjeshtruar çdo lidhje të mundshme me të duke deklaruar se nuk e njeh.
Në këtë rast, po të njëjtët personazhe që vërsulen pas ish eurodeputetit Fleckenstein, po të njëjtët na i prezantojnë Hanzen si Prometeun që i solli zjarrin Partisë Demokratike për të ndriçuar Shqipërinë.
Pavarësisht distancimit nga CDU, janë po të njëjtët aktorë që çdo reagim “kamikaz” të Henze ndaj kritikëve të Bashës, ja shesin publikut si qëndrim të Bundestagut gjerman.
Gjithësesi, mbase kryedemokrati Basha, para urdhërit për ta prezantuar eurodeputetin si leckaman, duhet të kujtojë kohën e para disa viteve kur u shfaq si rrefugjat në trenat e Londrës si kryetar i Partisë Demokratike për punë që u mbajtën të errëta dhe ende nuk i dimë.
Zgjedhja e Fleckenstein si këshilltar për integrimin” pranë Kuvendit të Shqipërisë, veçsa e ndihmon rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
Roli i tij duhet parë si një kontribut dhe jo si një përçmim, pasi parlamenti shqiptar ka një rol jo pak të vogël për të luajtur sa i përket afrimit të vendit drejt Bashkimit Europain.
Si ish-raportues i Shqipërisë në PE, Fleckenstein e njeh më mirë se askush procesin kompleks të integrimit si dhe aktorët tekanjozë të politikës shqiptare. Le të themi që i njeh, edhe pse fytyrat e tyre ndryshojnë aq shumë sa edhe ne që i shohim çdo ditë duket sikur nuk i njohim. (TemA)