Nga Elda Shabani

 

A e mbani mend kur ka qenë hera e fundit që ju keni qenë kreativë? Që keni provuar një punim dore, që keni dekoruar veshjen tuaj me bizhu apo vizatuar këpucët e reja me stilolaps apo lapustil? Sigurisht që, secili prej nesh, një herë të vetme mund ta ketë provuar ose ta ketë kthyer në profesion. Por shumë pak dinë se, në qytetërimet e izoluara nga bota moderne, siç janë fiset e lashta afrikane, indiane apo edhe fiset amazoniane të Brazilit etj, njerëzit nuk kanë lapsa druri me ngjyrë, makina qepëse, temina ose gurë si aksesorë zbukurimi, e megjithatë, besohet të jenë ndër njerëzit më unikë në botë, pasi pamja e jashtme e tyre është më trilluese dhe origjinale se sa industria e modës moderne. Ndryshe nga Perëndimi të distancuar nga natyra, këta njerëz, bashkëveprojnë me natyrën duke mos e ndjerë veten më suprior se vet ajo. Të frymëzuar nga natyra si instrument i vetëm i dizajnit dhe i tekstilit, këto fise, arrijnë të krijojnë modën e tyre unike, e cila lehtësisht mund të rivalizojë dhe frymëzojë modën avangarde të Haute Couture, në të gjithë botën. Aksesorët e trupit dhe kapelet spektakolare janë të krijuara vetëm me lule të stinës, gjethe, bar, brirë kafshësh si dhe guaska. Ata kanë një sens të hollë dhe të lindur të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës. Për shkak se janë popull nomad, ata përdorin trupat e tyre si kanavacë, duke zbukuruar lëkurën e tyre me pigmente nga mineralet e shkëmbit vullkanik dhe duke u veshur me “tekstilin” përftuar nga bota natyrore që i rrethon. Edhe pse nuk i shohim nëpër faqet Vogue, veshja e tyre është 100% origjinale dhe moda e tyre është me të vërtetë një shpikje, ku secili është një stilist i lindur. Larg Parisit, Milanos shtëpive të modës, mediave sociale dhe revistave plot shkëlqim, këta popuj autoktonë i nënshtrohen elementeve pafundësisht ndryshuese të Nënës Natyrë, nga ku ngjyrat e stinëve, së bashku me individualitetin janë ato që vendosin tendencat dhe jo një Këshill i Modës.

Perëndimi ka shfrytëzuar sistematikisht krijmtarinë e tyre artistike, veçanërisht të njerëzve indigjenë apo me ngjyrë, duke e kthyer në një proces normal në industrinë e modës. Si krijuesit më origjinalë të modës, natyrshëm lind pyetja, përse të mos njihet talenti i tyre për modën? A mos vallë qytetërimet moderne janë të vetmet të cilave u lejohet të kenë sfilata çdo sezon dhe të bëjnë fotoshooting nëpër revista? Në një kohë pandemie globale ku të gjithë shpresojnë t’i rikthehen normalitetit, industritë më të mëdha përfshirë edhe atë të modës kanë ngadalësuar makineritë e tyre të prodhimit. Ky është momenti i duhur për vetë stilistët e firmave të mëdha të reflektojnë dhe të jenë më të vetëdijshëm, pasi veshja është pjesë e kulturës, është një proces artistik dhe jo një estetikë e rastësishme e modës, nga e cila mund të përfitosh.