Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu, ka deklaruar se Task-Forca antiCOVID ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në terren, me zero tolerancë ndaj çdo subjekti që thyen rregullat, me qëllim zbatimin e protokolleve dhe frenimin e përhapjes së COVID19.
“Task-Forca antiCOVID është duke punuar në të gjithë Shqipërinë, sidomos përgjatë zonave turistike, duke filluar nga Shkodra në Sarandë. Nuk ka tolerancë për askënd që shkel ligjin. Kemi miratuar përsëri disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ, ku kemi vendosur masa administrative të shtuara për të gjitha ato subjekte, të cilët administrojnë stacione të plazhit apo subjekte akomoduese, masën me gjobë 700 mijë lekë dhe është vendosur masa e pezullimit në rast të përsëritjes së shkeljeve”, tha Manastriliu.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vigjilencën e të gjithë strukturave të Task-Forcës për respektimin e masave, për mbajtjen e maskave në transportin publik apo aktivitete të tjera me risk të lartë dhe kontrollet në aktivitetet që janë ende të ndaluara, si, klubet e natës apo grumbullimet masive.
“Policia e Shtetit, inspektoriatet dhe e gjithë Task-Forca duhet të ketë një vëmendje të shtuar tek klubet që ushtrojnë veprimtarinë në orët e darkës, të cilat janë të ndaluara. Dhe po e përsëris për të gjitha subjektet, për ato bare restorante që ofrojnë shërbime në orare të zgjatura, duhet që të mos ketë tolerancë në rast të mos respektimit të rregullave të distancimit fizik, mbajtjen e maskave në shërbim, higjienën, etj. Transporti publik po ashtu ka filluar. E di që keni bërë një punë të mirë deri tani. Besoj do të kemi edhe një strukturë të dedikuar të bashkisë, policisë bashkiake për të garantuar që qytetarët të vendosin maskat, pra ata të cilët aksesojnë transportin publik dhe sigurisht ata që shërbejnë në të gjitha këto aktivitete”, tha Manastirliu.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, në bashkëpunim me grupet e tjera të Task- Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, kanë realizuar në total 106.117 kontrolle dhe monitorimet në terren gjatë kësaj periudhe dhe po ashtu janë vendosur mbi 390 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Vetëm në 24 orët e fundit janë kryer mbi 1500 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit. Nga inspektimet janë marrë 3 vendime për pezullim të aktivitetit të subjekteve dhe 1 masë administrative me gjobë, në subjekt bar-kafe, i gjetur në shkelje, duke mos marrë masat mbrojtëse, mos respektuar distancimin social dhe duke mos zbatuar protokollet e miratuara.