Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë zhvilluar sot një bisedë online me Isabel Santos, Raportuesen e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Charlotte Ruhe, Drejtoresha Ekzekutive EBRD për Europën qendrore dhe jug-lindore.
Ministrja Gjonaj, bën me dije se gjatë diskutimit në fokus ishin dy fushat kyçe për integrimin në BE, Drejtësia dhe Energjia.
“Sot kisha kënaqësinë që së bashku me Belinda Balluku, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Charlotte Ruhe, Drejtoresha Ekzekutive EBRD për Evropën qendrore dhe jug-lindore dhe Isabel Santos, Raportuesen e Parlamentit Evropian për Shqipërinë të diskutonim në një panel të drejtuar nga Steven Blockmans (CEPS) mbi rëndësinë, perspektivat dhe sfidat e reformave në dy fusha kyçe për integrimin në BE: drejtësia dhe energjia.”,- shprehet Gjonaj.
“Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars të këtij viti, ishte një vendim i shumëpritur dhe kjo dritë e gjelbër është jo vetëm një arritje, por edhe një shpresë e konkretizuar për një të ardhme europiane.”,- tha Gjonaj.
“Perspektiva e integrimit ka qenë dhe është një forcë shtytëse për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave transformuese në vendin tonë, ku Reforma në Drejtësi mund të konsiderohet si një rast i suksesshëm i kësaj fuqie transformuese.”, tha ajo.
“Falenderoj European Bank for Reconstruction and Development (EBRD)dhe CEPS për organizimin e eventit online, dhe natyrisht për mbështetjen e Shqipërisë në këtë rrugëtim.”,- përfundoi Gjonaj.