Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është në gjendje të mirë shëndetësore. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e LDK-së, Gentiana Azemi. “Kryetari Mustafa është mirë me shëndet dhe po e mposhtë virusin. Është në vetizolim dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë”, tha ajo.
Mustafa para pesë ditëve përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se është infektuar me COVID-19. “Sot, pas analizave te kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditet në vijim do të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal”, kishte shkruar Mustafa në Facebook. Me virusin COVID-19, janë infektuar edhe disa deputetë të LDK-së.
Ndërkaq, që nga fillimi i pandemisë e deri tani në Kosovë me coronavirus janë infektuar 5 mijë e 118 qytetarë. 2 mijë e 370 janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 108 raste të vde kjeve. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se aktualisht raste aktive janë 2 mijë e 640.