Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, thotë se është e dukshme që Lionel Messi është i zemëruar sepse atij po i mungon përkrahja në skuadër për të arritur qëllimet, duke shtuar se ai është vetëm njeri dhe s’mund të bëjë gjithçka i vetëm. Kapiteni argjentinas së fundi e bëri të qartë zemërimin dhe zhgënjimin e tij me paraqitjet dhe rezultatet e Barcelonës gjatë këtij sezoni, pas ndeshjes të së enjtes, kur Barcelona pësoi disfatë në Camp Nou dhe Reali i fitoi titullin.Pas dy vjetëve radhazi si kampion i Spanjës, Barcelona e humbi garën për titull këtë sezon, ndërsa tani do të tentojë që ta mbyllë sezonin të paktën me trofeun e Ligës së Kampionëve.
Shqetësimet e Messit për të ardhmen e Barcelonës kanë bërë që të shtohen spekulimet se ai do të largohet nga Barcelona gjatë verës së vitit të ardhshëm, kur edhe i përfundon kontrata aktuale me klubin. “Leo është një fitues i natyrshëm. Atij s’i pëlqen të humbasë. Kur skuadra humbet, është normale që ai zemërohet. Ai dëshiron që gjithmonë të fitojë, sikur unë. Ne gjithmonë duam të fitojmë. Unë gjithmonë do të them se Messi është ushqimi kryesor dhe ne ishim përbërësit e përsosur për atë pjatë. Tani e kam ndjenjën se ai është duke bërë gjithçka, gjatë gjithë kohës, dhe ne duhet ta mbajmë mend që ai është vetëm njeri”, ka thënë Alves.