Me gëzim të patreguar mësuam që Ministria e Arsimit themeloi një Bibliotekë Kombëtare, edhe që më shumë na shtonet gëzimi ynë kur të shohim që Biblioteka është vënë në përkujdesje të profesor Mati Logorecit, një nga më të mëdhenjtë e të vjetër të përpjekjes së gjuhës amtare dhe çështjes kombëtare. Duhet të vrapojnë të gjithë shqiptarët për ta begatuar këtë Bibliotekë me libra në çdo gjuhë”.
Kështu do të njoftohej krijimi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në shtypin e kohës në 20 gusht të 1920-s. E ndërsa, në këtë 10 korrik që përkon me 100-vjetorin e krijimit të saj, është çelur në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë që ka në qendër jehonën për të në shtypin e shkruar. Drejtuesi Piro Misha, e konsideron këtë rast, si një mundësi të mirë për t’u bërë homazhe lexuesve, drejtuesve të kësaj Biblioteke në një shekull, edhe atyre që kanë kontribuar për pasurimin e fondit të BK.
“Është një ditë e veçantë. 10 korriku është dita që u hodhën themelet e Bibliotekës Kombëtare, ku në Shkodër komisia letrare me ndihmën e ushtrisë Austriake morën vendime për të krijuar një bibliotekë, e cila pas bashkimit të Shkodrës me territorin shqiptar u vendos që të kalojë në Tiranë. Fillimisht kishim Bibliotekën Shtetërore, pjesë e Ministrisë së Arsimit. Është e rëndësishme që të dimë se është institucioni i parë qendror kulturor i shtetit të ri shqiptar. Është një nga vendimet e para të Kongresit të Lushnjes për krijimin e Bibliotekës Kombëtare”, shpjegon Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ministrja Margariti teksa thekson se jo më kot janë zgjedhur ambientet e muzeut për këtë ekspozitë
“Hapësirat ku mund të bëhej kjo ekspozitë janë të shumta, por është bërë në MHK, sepse biblioteka ka lind si një institucion i bashkuar me MHK. Ne duam mbi të gjitha të lëmë një gjurmë këtë vit, që është ai i një projekti për BK, që e kemi nis dhe besojmë fort se një hapësirë e re do jetë simbolika për këtë 100-vjetor”.
Përpos kësaj Margariti shprehet, se prioritet në këtë 100-vjetori ka një projekt për godinën e re, që do të ndërtohet për Bibliotekën. Ndërsa, gjatë verës do të nisin disa ndërhyrje në godinën e Bibliotekës Kombëtare
“Kemi marrë masa që problemin që kemi me impiantin elektrik ta zgjidhim edhe brenda verës të nisin punimet e shumëpritura. S’do të jetë zgjedhja definitive, por është një nismë e mirë për BK. Restaurimi i disa sallave në fondin e vjetër të BK-së, ku do të ekspozojmë disa libra të rrallë dhe do të krijojmë një zonë për të rinjtë,që të aksesojnë platformën digjitale, tashmë ka marrë jetë”, përfundon ministrja e Kulturës.
Ekspozita vazhdon që të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar.