Pas dhjetë vitesh së bashku, aktori i njohur i “Call me by your name”, Armie Hammer, ka njoftuar ndarjen nga bashkëshortja Elizabeth Chambers. Këtë lajm e ka dhënë vetë Hammer në rrjete sociale, duke habitur ndjekësit e tij që nuk e prisnin aspak diçka të tillë. Me një foto nga takimet e tyre të para, aktori ka bërë të ditur se ai dhe Elizabeth kanë vendosur t’i japin fund martesës.
Duket se çifti është ndarë paqësisht dhe për këtë vendim kanë qenë dakord të dyja palët. Madje, ata do të vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin edhe pas ndarjes, për hir të fëmijëve dhe kohës së bukur që kaluan së bashku.
“Trembëdhjetë vjet si miq të ngushtë, shpirtra binjakë, partnerë dhe më pas prindër. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, por bashkë, kemi vendosur të kthejmë faqe dhe t’i japim fund martesës sonë. Ndërsa hyjmë në këtë kapitull tjetër, fëmijët tanë dhe marrëdhënia si prindër dhe miq të dashur do të mbetet përparësia jonë.
E kuptojmë se ky lajm do të hapë debate në publik, por në interes të fëmijëve dhe familjes sonë, ne gjatë kësaj kohe kërkojmë intimitet, dhembshuri dhe dashuri.”- shkruhet në postim. Armie dhe Elizabeth janë prindër të dy fëmijëve, Harper Grace, 5 vjeçe dhe Ford Douglas Armand, 3 vjeç.