Rrugët e Barcelonës u boshatisën këtë të dielë, pasi autoritetet e rajonit të Katalonjës vendosën të rikthejnë masat e ashpra të karantinës kundër koronavirusit. Miliona banorëve të rajonit, 4 milionë prej të cilëve në Barcelonë u është kërkuar të evitojnë sa të munden daljen nga shtëpia, përveç rasteve tepër të nevojshme.
Kjo është parë si një mënyrë për të frenuar rikthimin e përhapjes masive të COVID-19, që në më pak se një javë ka shënuar 800 të infektuar të tjerë. Karantina u hoq mbi një muaj më parë, teksa shtimi i rasteve sipas autoriteteve ka lidhje me hapjen e kufijve për turistët europianë, por edhe me hapjen e bareve, restoranteve, kinemave, etj.
Spanja ishte vendi i dytë në Europë pas Italisë në kulmin e shpërthimit të pandemisë në Mars. Katalonja është rajoni më i madh në Europë që ka rikthyer masat bllokuese.
Ndërsa në Australi, autoritetet e Melburnit urdhëruan që të gjithë banorët të vendosin maska me detyrim sapo të dalin nga shtëpitë. Kush nuk i bindet urdhrit gjobitet me rreth 150 dollarë. Në gjithë Australinë, infektimet ditore arritën në 217 këtë të dielë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 24 orëshi i fundit shënoi një shifër rekord infektimesh globale, mbi 260 mijë. Viktimat nga COVID-19 kanë tejkaluar 600 mijë, mes mbi 14.4 milionë të prekurve.