Këshilli i Ministrave ka kaluar vendimin për fondin prej 16 miliardë lekësh që do të shkojë për rindërtimin e pallateve të dëmtuara në gjithë Shqipërinë, jashtë territorit të Bashkisë së Tiranës. Diçka e tillë u paralajmërua një ditë më parë nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i cili tha se në shtator do të shihen themelet e para nga këto palate. Saktësisht ky fond do të shkojë në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë. Ky është fondi i parë që jepet për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti teksa për ato që duan vetëm rikonstruksion është dhënë më parë.

VENDIMI NGA KËSHILLI I MINISTRAVE Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Korrik 2020: V E N D I M PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, shkronja “a”, pika 1, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 16 198 330 089 (gjashtëmbëdhjetë miliardë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë milionë e treqind e tridhjetë mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë. Përdorimin e fondit, të miratuar në buxhetin e vitit 2020, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 3 239 666 018 (tre miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 3 239 666 018 (tre miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.