Grupi kombëtar farmaceutik i Kinës (SinoPharm) njoftoi se një vaksinë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) mund të jetë gati në fund të vitit 2020. Siç raportoi kompania “Global Times”, kompanitë farmaceutike kineze përfunduan provat e hershme dhe po përgatiten për hyrjen në treg nga fundi i vitit.
SinoPharm, e cila hyri në provat e fazës së parë dhe të dytë në muajin prill tha se rezultatet e të dyja fazave ishin pozitive dhe pa efekte serioze anësore. “SinoPharm u aprovua në fund të muajit qershor për të filluar provat klinike ndërkombëtare të fazës së tretë dhe vaksina mund të dalë në treg në fund të vitit”, citoi gazeta kineze kreun e kompanisë SinoPharm, Liu Jingzhen.
Liu tha se një provë e fundit pritet të përfundojë në tre muajt e ardhshëm. Vaksina u zhvillua bashkërisht nga Instituti i Produkteve Biologjike në Pekin dhe Instituti Wuhan i produkteve biologjike nën kompaninë SinoPharm.
Dje, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha se studiuesit kanë bërë përparim të mirë në zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19, por përdorimi i parë nuk pritet deri në fillim të vitit 2021. Vende të tjera, përfshirë studiuesit mjekësorë në SHBA dhe Britani të Madhe po ashtu janë duke u përpjekur të zhvillojnë një vaksinë kundër COVID-19.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Kinë, pandemia COVID-19 në mbarë botën ka marrë mbi 622 mijë jetë njerëzish. Sipas Universitetit “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, mbi 15 milionë raste janë raportuar në të gjithë botën, mbi 8.6 milionë e të cilëve janë shëruar.