Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi të premten projektligjin “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, i pranishëm në Komision theksoi se Kodi i ri nuk radikalizon atë ekzistues, por e përmirëson në shumë pika.

Përmes këtij drafti, tha ai, arrihet të formalizohet bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë transportit ajror (civil), me qëllim të menaxhimit të hapësirës ajrore në mënyrë të sigurtë.

Po ashtu, Shkreli vuri në dukje se drafti i krijon mundësi Autoritetit të Aviacionit Civil, si institucioni mbikëqyrës për aviacionin civil në Shqipëri, të realizojë funksionet e tij nga ana ligjore, të mirërregulluara me miratimin e këtij projektligji.