Kryeministri Edi Rama ka uruar për ditëlindje ish futbollistin e kombëtares Igli Tare, pasi ai sot mbush 47 vjeç.
Në një postim në facebook teksa i uron të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, Rama shprehet se uron që një ditë ta shoh në krye të Juventusit, jo të Milanit siç ka frikë se do ndodhë.
“Igli Tare është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më parë silueta e tij, kur ne të Dinamos dilnim për vrap në ish-fushën e Aviacionit, ku bashkë me të vëllain Auronin, dy kalamajtë kolosë e “kokëlakër”, i nështroheshin stërvitjeve të pamëshirshme të të atit, mjeshtrit të sportit e dikur kolosit kampion të hedhjes së diskut, Isa Tare, i cili u kishte imponuar djemve një regjim stërvitjesh që do ta kishin zili edhe marinsat amerikanë.
Auroni arriti në skuadrën e parë të të kuqve të pathyeshëm që nën udhëheqjen Gaz Çaçit, vendosën diktaturën në parketin e basketbollit shqiptar për vite me radhë, ndërsa Igli pasi veshi fanellën e shpresave kuqezi, mori arratinë drejt Bundesligës, ku arriti të bënte emrin e tij, për t’u zhvendosur më pas në Serie A tek skuadra e Lazios.
Presidentit Lotito i ra bixha me kolosin shqiptar, që jashtë fushës së blertë spikaste me stofën e liderit dhe i besoi as më shumë e as më pak, po çelësin e zyrës së drejtorit teknik të armiqve të Romës.
Nën drejtimin e Igli Tares Lazio u kthye në një armatë mbresëlënëse, e cila ka një bilanc të pabesueshëm mes shpenzimeve shumë më të ulëta se sa klubet elitare të Serisë A dhe vendit që ka zënë në klubin e të mëdhenjve të futbollit italian.
Sot Igli është aseti më i kushtueshëm i Lazios dhe në ditën e tij të lindjes, i uroj të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, duke uruar njëkohësisht që një ditë ta shoh në krye të Juventusit (jo të Milanit siç kam frikë se do ndodhë”- shkruan Rama.
#EDHE100?IGLI TARE është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më…
Gepostet von Edi Rama am Samstag, 25. Juli 2020