Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, theksoi sot se “Presidenca Shqiptare e ka bërë luftën e trafikimit njerëzor një nga prioritetet e saj kryesore. Pothuajse 25 milionë persona vlerësohet se vuajnë nga ky krim poshtërues”.
Në fjalën e tij në seancën hapëse të Konferencës së 20-të të Aleancës Kundër Trafikimit të Njerëzve, Lleshaj tha se “në të vërtetë, kjo është një sfidë që prek të gjithë ne dhe asnjë shtet anëtar i OSBE-së nuk është imun nga ky krim i rëndë. Sipas raportit të fundit global të UNODC për trafikimin e njerëzve, vendet po zbulojnë dhe raportojnë më shumë viktima në shkallë globale”.
“Kjo mund të jetë si rezultat i rritjes së aftësisë për të identifikuar viktimat dhe/ose i një numri të shtuar të viktimave të trafikuara. Sidoqoftë, vetëm brenda Europës, pavarësisht rritjes së identifikimit të viktimave me 51%, ndjekja penale e autorëve pësoi një rënie prej 52%, duke reflektuar kështu një hendek të konsiderueshëm të pandëshkueshmërisë në të gjithë rajonin e OSBE-së në krahasim me shtrirjen e krimit”, – nënvizoi Lleshaj.
Sipas tij, kur kërcënohet shteti i së drejtës, vihen në diskutim siguria dhe mbrojtja e të gjithë qytetarëve, veçanërisht më të dobtëve.
“Hetimi penal dhe dënimi juridik i autorëve të krimeve të trafikimit të qenieve njerëzore janë të një rëndësie kapitale. Por vetëm burgosja e trafikantëve nuk është e mjaftueshme. Trafikimi funksionon si një model biznesi kriminal. Suksesi në luftën kundër tij varet shumë nga një qasje integrale, e cila synon të godasë të gjithë elementët, që përbëjnë ciklin e saj”, – tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj u shpreh se “adresimi i faktorëve që nxisin kërkesën dhe ofertën në këtë biznes kriminal, krijimi i kapaciteteve të mjaftueshme për të parandaluar dhe luftuar trafikimin, bazimi përherë e më shumë tek inteligjenca, koordinimi kombëtar dhe ndërkombëtar, janë elementë të përhershëm të recetës për sukses në luftën kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe kundër trafikimit njerëzor në veçanti”.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është në thelb një krim fitimprurës i përmasave të mëdha. Vlerësohet se fitimet totale të paligjshme nga përdorimi i punës së detyruar në të gjithë botën arrijnë në rreth 150 miliard dollarë amerikanë në vit. Shterrimi i financave që ndihmojnë krimin dhe veçanërisht konfiskimi i pronave dhe pasurive të tjera të krijuara nga veprimtaria kriminale, mbetet rruga më e mirë që çon drejt suksesit afatgjatë”, – shtoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj tha se “OSBE-ja ka një angazhim unik dhe gjithëpërfshirës në angazhimet për luftën ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe në veçanti për ndjekjen penale”.
“Duke qenë se siguron një platformë unike për koordinim në përpjekjet kundër trafikimit, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ekspertizës së bërë, ne kemi mekanizmat, partneritetet dhe vullnetin e mirë për t’i dhënë fund mosndëshkimit dhe për të rritur mbrojtjen për viktimat e trafikimit”, – tha Lleshaj.
Ne, shtoi ai, do të mund të besojmë se kemi goditur në thelb krimin vetëm atëherë kur do të arrijmë të konfiskojmë me siguri dhe vendosmëri si paratë, edhe asetet e tjera që janë gjeneruar prej tij.
“Konfiskimi do të ishte vaksina efektive. Konfiskimi i shoqëruar me dënimin penal do të ishte jo vetëm vendosje e drejtësisë, por edhe mesazhi i duhur ndaj atyre që aspirojnë për t’u përfshirë në trafikim në të ardhmen. Konfiskimi do ta bënte të qëndrueshme dhe të besueshme përpjekjen kundër krimit. Të bindur në dobinë e kësaj qasjeje, në Shqipëri kemi hyrë në një fazë të re dhe të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar, e cila bazohet fort tek ambicia për të goditur paratë dhe asetet e krijuara nga krimi. Një ligj i miratuar në fillim të këtij viti u ka dhënë autoriteteve ligjzbatuese një instrument të ri në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe trafikimit të qenieve njerëzore në veçanti”, – tha Lleshaj.