Njerëzit duhet të ndryshojnë sjelljen për të parandaluar valën e dytë të virusit/ koronavirus

Ju mund të jeni të rraskapitur, por pandemia e Covid-19 sapo ka filluar. Gjashtë muaj pasi shkencëtarët kinezë njoftuan Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një virus të ri që shkaktonte pneumoni vdekjeprurëse, Covid-19 – siç u quajt më vonë sëmundja – është përhapur në thuajse çdo vend të botës dhe ka vrarë mbi 500,000 njerëz, shkruan The Economist. Në Londër, Madrid dhe Nju Jork, numri i vdekjeve ka qenë dy herë më i lartë se zakonisht. Brenda tre muajve, rastet globale arritën në një milion; por shifra dy milion u arrit në më pak se një javë.

Megjithatë, edhe në vendet me përhapje më të lartë, vetëm 5-15% e njerëzve janë infektuar. Ata mund të jenë imunë ndaj infeksioneve të ardhshme, të paktën për njëfarë kohe, por duke qenë se shumica e popullsisë është ende e rrezikuar, rikthimi në jetën normale është i pamundur. Sëmundja do të rritej sërish me shpejtësi. Spitalet do të mbingarkoheshin.

Një studim i fundit i botuar në revistën mjekësore Lancet, vlerëson se rreth 4.5% e njerëzve të infektuar nga Covid-19 në të gjithë botën, ka të ngjarë të sëmuren aq rëndë sa të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Për krahasim, më pak se 8% e amerikanëve duhet të kalojnë natën në spital në një vit normal.

Një vaksinë është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo gjendje. Por edhe optimistët më të vendosur parashikojnë se ajo nuk do të jetë e disponueshme të paktën deri në janar 2021. Ndërkohë, bota po përgatitet të përballet me Covid-19 në planin afatgjatë. Teksa vendet lehtësojnë kufizimet dhe hapin kufijtë, rastet kanë filluar të rriten sërish. Nëse nuk mbahen nën kontroll, ato do të shkaktojnë valë të reja infeksioni. Karantinat mbarëkombëtare do t’i shkatërronin ekonomitë.

Kështu që vendet po kërkojnë masa të mesme që do të parandalojnë që sëmundja të mbingarkojë spitalet duke hequr njëkohësisht kufizimet më të rënda. Të përdorura së bashku, këto masa mund të parandalojnë valët e reja të infeksionit. Fakti nëse qeveritë do të zgjedhin t’i zbatojnë – ose do të kenë mjetet e duhura për këtë – dhe nëse njerëzit do t’i ndjekin rregullat e reja, është më pak i sigurt

Prioritetet

Prioriteti është të mbrohen nga infeksioni njerëzit që kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë. Kjo bëhet e vështirë nëse infektohen një numër i madh personash. Për të parandaluar që virusi të përhapet në mënyrë të pakontrollueshme, qeveritë po mbështeten në kombinimin e tre masave kryesore: testimin dhe karantinën; ndryshime në sjellje që ulin transmetimin (të cilat përfshijnë distancimin social, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve); dhe karantina specifike në vatrat e nxehta të virusit – një praktikë e njohur si “ndërprerje e qarkut” që ka qenë e njohur në vendet e Azisë Lindore dhe tani po praktikohet më gjerë.

Fakti nëse vendet që e kanë nën kontroll Covid-19 do të përjetojnë valë të reja të sëmundjes, do të varet nga mënyra se si sillen njerëzit dhe sa shpejt mund të zbulojnë autoritetet një rritje të rasteve, thotë Andrea Ammon nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Nëse autoritetet mund të identifikojnë shpejt shpërthimet e reja, ato do të jenë më të afta për të parandaluar përhapjen e tyre. Kjo do të thotë se çdo kufizim i imponuar në përgjigje mund të jetë më i kufizuar. “Ajo që kemi mësuar rreth këtij virusi është se nuk duhet të nënvlerësojmë as një shpërthim të vogël. Ai mund të jetë lehtësisht thelbi i një transmetimi më të madh”, thotë Dr. Ammon.

Parandalimi i përhapjes

Për të parandaluar që virusi të përhapet në mënyrë të pakontrollueshme, qeveritë po mbështeten në kombinimin e tre masave kryesore: testimin dhe karantinën; ndryshime në sjellje që ulin transmetimin (të cilat përfshijnë distancimin social, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve); dhe karantina specifike në vatrat e nxehta të virusit – një praktikë e njohur si “ndërprerje e qarkut” që ka qenë e njohur në vendet e Azisë Lindore dhe tani po praktikohet më gjerë.

Dështimi me azilet

Vendet që po përballen me valët e para të Covid-19 u gjendën të papërgatitura. Një nga tragjeditë më të mëdha ishte dështimi për të mbrojtur të moshuarit në azile. Ata kanë regjistruar rreth 40% të vdekjeve nga Covid-19 në Amerikë dhe në disa vende të tjera perëndimore. Qeveritë janë të vendosura të shmangin përsëritjen e këtij problemi. Masat e parandalimit të infeksionit në azilet e pleqve po përforcohen, duke përfshirë më shumë testime dhe përdorim më të gjerë të maskave nga stafi dhe vizitorët.

Përveç të moshuarve, tani është e qartë se njerëzit me probleme shëndetësore – përfshirë obezitetin, diabetin dhe sëmundjet e zemrës – janë veçanërisht të rrezikuar. Vlerësimet sugjerojnë se 22% e njerëzve në nivel global, kanë të paktën një sëmundje paraprake që i vë ata në rrezik më të lartë nëse infektohen. Në Amerikë, 38% e të rriturve hyjnë në këtë kategori, për shkak të moshës ose problemeve shëndetësore; gati gjysma janë në moshë pune.

Cilat janë shanset?

Është thelbësore që njerëzit të kuptojnë se si të vlerësojnë rrezikun e tyre – veçanërisht në rast të përhapjes së sëmundjes në zonën e tyre. Në mars, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Britanisë u dërgoi letra rreth 2.2 milionë njerëzve që konsiderohet se ishin me rrezik veçanërisht të lartë, duke i këshilluar të shmangnin daljet kur sëmundja ishte në fazën më të rëndë.

Në të ardhmen, mjekët dhe organizatat e pacientëve do të përfshihen më ngushtë, duke i këshilluar njerëzit e rrezikuar dhe familjet e tyre se si të balancojnë uljen e rrezikut të prekjes nga Covid-19, me nevojën për të pasur një jetë sociale.

Në ditët e para të pandemisë, pothuajse të gjitha vendet u përpoqën të “testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë” njerëzit e infektuar, duke u përpjekur t’i karantinojnë ata për të thyer zinxhirët e transmetimit. Por shumë qeveri, si Britania, e braktisën këtë qasje kur rastet u rritën me shpejtësi dhe nuk kishin më testime dhe staf të mjaftueshëm për të kryer punën. Vendet në Europë dhe gjetiu që ishin mbërthyer nga paniku, vendosën karantina kombëtare në përpjekjen për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.

Por vendet që bënë një punë më të mirë në muajt e parë të pandemisë, ishin ato që nuk ndalën asnjëherë gjurmimin e kontakteve, thotë David Heymann nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. Ato përfshijnë vende si Koreja e Jugut, Danimarka, Gjermania, Vietnami, Uruguai dhe Ruanda. Shumë vende europiane dhe disa shtete amerikane përdorën karantinat e tyre fillestare për të zgjeruar sistemin e testimit dhe gjurmimit të kontakteve dhe për të ndërtuar aplikacione që mund të bënin të mundur kryerjen e detyrës në mënyrë më efikase nëse do të vinte një valë e dytë.

Këto sisteme të përmirësuara kanë rezultuar në shkallë të ndryshme suksesi. Në Spanjë, Ministria e Shëndetësisë beson se ende po zbulon vetëm një të tretën e rasteve (që gjithsesi është një përmirësim në krahasim me normën fillestare prej 10% në kohën e fillimit të epidemisë në vend). Nga këto raste, 40% nuk kanë asnjë lidhje të njohur me personat e tjerë të infektuar.

Profesionistët e shëndetit publik thonë se sistemi ka nevojë për më tepër staf për të funksionuar në mënyrë efektive. Gjurmuesit e kontakteve në disa shtete të Amerikës po arrijnë më pak se gjysmën e atyre që testojnë pozitivë për Covid-19. Aplikacionet që njoftojnë përdoruesit për një kontakt të ngushtë me një person të infektuar, shpesh kanë rezultuar zhgënjyese. Ai në Francë u shkarkua nga më pak se 2 milionë njerëz dhe njoftoi vetëm 14 prej tyre se kishin qenë në kontakt të ngushtë me dikë të infektuar me Covid-19 në tre javët e para.

Disa nga qeveritë që rritën ndjeshëm sistemin e gjurmimit të kontakteve gjatë përhapjes masive të pandemisë, si Britania, zgjodhën ta drejtojnë atë në nivel qendror. Ky rezultoi një vendim i gabuar. Shkalla e suksesit në marrjen e detajeve të kontakteve dhe kontaktimin e njerëzve, ka qenë më e lartë kur detyra kryhej nga departamentet lokale të shëndetit ose organizatat e komunitetit. Është e vështirë të bindësh dikë që ka testuar pozitiv për Covid-19, të dorëzojë numrat e telefonit të miqve, familjes dhe kolegëve të punës. Ata kanë më shumë të ngjarë të bashkëpunojnë nëse thirrja që kërkon një informacion të tillë vjen nga dikush i nivelit lokal.

“Çdo epidemi është lokale”, thotë Madhukar Pai, një epidemiolog në Universitetin McGill në Kanada, “kështu që një kombinim i udhëheqjes lokale, të dhënave lokale për të gjurmuar çka po ndodh, dhe një ushtrie lokale të punonjësve shëndetësorë dhe vullnetarëve, është absolutisht i rëndësishëm për të mbajtur pandeminë nën kontroll”.

Në vendet e mëdha si India, thotë ai, suksesi i zonave të ndryshme në mbajtjen nën kontroll të Covid-19, do të variojë. Rastet e Covid-19 në Indi dhe vdekjet nga sëmundja po rriten në mënyrë të shpejtë. Por Dharavi, një zonë e varfër në Mumbai ku 850,000 njerëz banojnë në vetëm 2.5 km katrorë dhe 80 njerëz ndajnë çdo tualet, ka arritur të zbusë një shpërthim të virusit që nisi në prill. Autoritetet e atjeshme kanë krijuar klinika të posaçme për të kontrolluar temperaturën e njerëzve.

Punëtorët e kujdesit shëndetësor shkuan derë më derë për të ekzaminuar njerëzit për simptoma dhe i transferuan ata që ishin të infektuar në shkollat aty pranë dhe në fusha sportive të cilat ishin shndërruar në qendra karantine. Në gjysmën e parë të qershorit, kjo zonë shënoi vetëm gjashtë vdekje nga sëmundja, krahasuar me 71 në prill dhe maj.

Procesi i gjurmimit të kontakteve të personave të infektuar me Covid-19 ka qenë më pak efikas në Europë dhe Amerikë. Si rezultat, masat e tjera për të frenuar transmetimin janë edhe më thelbësore. Këto përfshijnë inkurajimin e njerëzve që të mbajnë maska në fytyrën dhe të ruajnë distancën nga të tjerët (distancim social).
Megjithatë, shndërrimi i këtyre rregullave në norma shoqërore ka qenë i ndërlikuar për një sërë arsyesh. Së pari, këshillat zyrtare për mbajtjen e maskave në Amerikë dhe Britani, si dhe në vende të tjera, ndryshuan me kalimin e kohës.

Njerëzve fillimisht iu kërkua që të mos i mbanin ato, pjesërisht nga frika se mos mbaronin furnizimet e pakta për punonjësit e shëndetësisë. Në Amerikë, tani maskat rekomandohen zyrtarisht, por janë kthyer në një deklaratë politike, ku disa mbështetës të presidentit Donald Trump, i cili refuzon të mbajë maskë, ndjekin shembullin e tij.

Distancimi social është shumë i rëndësishëm

Falë studimeve të përhapjes së pandemisë në të gjithë botën, po bëhet gjithnjë e më e qartë se distancimi social është shumë i rëndësishëm. Covid-19 lind nga kontakti i ngushtë. Tashmë njihen katër faktorë që përkeqësojnë përhapjen e tij: afërsia fizike për një periudhë të gjatë kohore, të qenët në një turmë të madhe dhe marrja pjesë në aktivitete ku njerëzit marrin frymë me forcë (për shembull të kënduarit, të bërtiturit dhe ushtrime të rënda fizike). Të kombinuar, këta faktorë krijojnë kushte “super përhapëse”.

Në fillim të pandemisë, në një praktikë kori me 61 persona pranë qytetit Seattle, një njeri i infektuar me Covid-19 ia transmetoi atë më shumë se gjysmës së personave në sallë, dy prej të cilëve vdiqën.
Zbulime të tilla po ndihmojnë zyrtarët që të krijojnë rregulla më specifike. Konferencat dhe eventet e mëdha tashmë janë të ndaluara në shumë vende. Teksa Britania del nga karantina, dasmat lejohen sërish – por pa kënduar dhe jo më shumë se me 30 njerëz të pranishëm. Baret e Suedisë lejojnë vetëm shërbimin në tryezë, për të parandaluar grumbullimet në banak. E ardhmja e klasave të ushtrimeve fizike në mjedise të brendshme duket e pasigurt.

Shkalla në të cilën njerëzit do të respektojnë rregullat për mbajtjen e maskave dhe distancimin e përditshëm shoqëror, do të varet nga mënyra sesi dhe nga kush e marrin mesazhin. Doktori Ammon nga ECDC-ja thotë se shpjegimi i rreziqeve të Covid-19 është një sfidë për të gjithë autoritetet e shëndetit publik, sepse atyre nuk u është dashur asnjëherë ta bëjnë atë në një shkallë të tillë.

“Por kemi mësuar nga përvoja të tjera se duhet tërhequr vëmendja e personave me influencë në grupe të caktuara për të përcjellë mesazhin në një mënyrë të besueshme”. Fakti se cilët janë këta persona me influencë, varion. Nxitjet e njerëzve të famshëm online do të kenë më shumë peshë tek të rinjtë. Ata të imamëve dhe priftërinjve mund të bindin tipat fetarë. Por përcjellja e mesazhit duhet të nisë nga lart. “Politikanët duhet t’u përcjellin mesazhin njerëzve se u takon me të vërtetë atyre të vendosin se çfarë do të ndodhë me këtë pandemi”, thotë doktor Ammon. “Dhe duke i fuqizuar ata me mesazhin: ‘Ajo që ju bëni ka rëndësi’”.

Por në shumë vende, përfshirë Amerikën, Brazilin, Rusinë dhe Iranin, politikanët e kanë humbur besimin e popullit duke kundërshtuar ekspertët e tyre mbi faktet themelore në lidhje me pandeminë, duke publikuar shifra të pasakta mbi vdekjet nga Covid-19, ose duke përhapur teori konspiracioni.

Përhapja
Covid-19 lind nga kontakti i ngushtë. Tashmë njihen katër faktorë që përkeqësojnë përhapjen e tij: afërsia fizike për një periudhë të gjatë kohore, të qenët në një turmë të madhe dhe marrja pjesë në aktivitete ku njerëzit marrin frymë me forcë (për shembull të kënduarit, të bërtiturit dhe ushtrime të rënda fizike). Të kombinuar, këta faktorë krijojnë kushte “super përhapëse”.

Sjellja duhet të ndryshojë

Është shumë e rëndësishme që njerëzit të nxiten për të ndryshuar me shpejtësi sjelljen e tyre në vendet më të varfra ku epidemia po rritet me ritme të shpejta. Në Indi dhe Afrikën e Jugut, mungesa e testeve – për shkak të pengesave në furnizimin global – e ka bërë më pak të dobishëm gjurmimin e kontakteve. Në Afrikën e Jugut, e cila e ka braktisur tashmë gjurmimin, fraza e përhapur midis liderëve politikë tani është “nga ankthi tek agjencia”. Zyrtarët po përpiqen të imponojnë respektimin e rregullave më themelore për të parandaluar përhapjen e Covid-19, përfshirë veshjen e maskave, që tani është bërë e detyrueshme në transportin publik dhe në të gjitha dyqanet.

Presidenti Cyril Ramaphosa u përpoq të sensibilizonte mbi këtë çështje duke vënë (me vështirësi) një maskë në fund të një fjalimi televiziv. “Tani duhet të ndryshojmë mendimin e njerëzve”, thotë Salim Abdool Karim, i cili kryeson komitetin këshillues mjekësor të Afrikës së Jugut për Covid-19.

“Ne kemi nevojë që çdo person të kuptojë se ka aftësinë për të ndryshuar dhe për të ndikuar në rrezikun e tij. Kjo për mua është sfida më e madhe”.
Shqetësimi në vendet e varfra, thotë doktor Pai, është se mesazhe të tilla mund të mos arrijnë të ngjisin nëse njerëzit shohin se sëmundja po përhapet. Tashmë, thotë ai, ka njerëz që mendojnë se është e kotë të vendosin një maskë sepse gjithsesi do të preken nga virusi.

Është e vështirë të parashikohet se si do të ndryshojë sjellja e njerëzve në çdo vend të veçantë. Përvojat e kaluara ndikojnë në qëndrime. Shumë ekspertë mendojnë se nivelet e pajtueshmërisë me udhëzimet për maska, karantina dhe distancime sociale në vendet aziatike, janë të larta sepse njerëzit atje kanë kujtime të dhimbshme të epidemisë SARS në vitet 2003-2004.

Por ka shenja që tregojnë se në disa pjesë të Europës dhe Amerikës, të cilat e kanë kaluar valën e tyre të parë të madhe të Covid-19, njerëzit mund të respektojnë rregullat e reja që do të jenë në fuqi, edhe ndërkohë që kufizimet lehtësohen. Në Francë, presidenti Emmanuel Macron tha se edhe ai vetë kishte mbetur i habitur nga vullneti i madh i bashkëqytetarëve të tij për t’iu bindur rregullave të reja.

Gjatë javëve të para të karantinës, francezët panë mjekët me fytyrat e zbehta, që dilnin çdo natë nga repartet e urgjencës përpara studiove televizive, për t’i thënë kombit se Franca ishte në fillimin e një vale të egër. Frika, bashkë me gjobat e mëdha dhe kontrollin e rreptë, ndoshta ndikoi në këtë disiplinë kolektive. Megjithëse kafenetë, muzetë, plazhet dhe shkollat franceze janë rihapur, përvoja e mëparshme e vendit mund të shpjegojë pse rregulla si mbajtja e maskave në transportin publik, në zyra dhe hapësira të tjera të përbashkëta, në pjesën më të madhe po respektohen.

Gjendja është e ngjashme edhe në Spanjë, e cila pati një nga shpërthimet më të këqija të Covid-19. Gjatë valës së parë, vendi regjistroi të paktën 28,000 vdekje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Numri i vdekjeve të tepërta ishte rreth 50,000 krahasuar me vitet e kaluara.

“Ne nuk mund ta ulim kujdesin”, tha kryeministri Pedro Sánchez, më 20 qershor, ndërsa shpalli fundin e gjendjes së jashtëzakonshme 98-ditore. Teksa vendosin nëse duhet të bëjnë pushime verore, spanjollët janë të ndarë midis dëshirës për t’iu rikthyer normalitetit dhe frikës së një vale të re. Tani shumica mbajnë maska kur dalin jashtë. Madridi dhe disa qeveri të tjera rajonale kanë siguruar disa maska falas përmes farmacive; ato mund të blihen lehtësisht edhe në dyqane.

Por, edhe teksa njerëzit marrin masa të tilla, ata janë të dëshpëruar që jeta t’i rikthehet sa më shumë normalitetit. Spanjollët në përgjithësi i respektojnë normat e distancimit social. Por mbrëmjet e së enjtes dhe së premtes, tarracat e jashtme të bareve mbushen me të rinj kryesisht pa maska. Plazhet janë hapur sërish, megjithëse policia ndërhyn për të shpërndarë turmat. Në Britani, nëpër festa janë kapur tashmë grumbullime të paligjshme. Në Berlin, ku maskat janë të detyrueshme në dyqane dhe në transportin publik, qeveria lokale vendosi gjoba për mosrespektim kur vuri re se ra numri i personave që i bindeshin rregullit.

Grupe problematike

Në shumë vende europiane, rastet e reja të Covid-19 kanë shpërthyer ndërkohë që kufizimet janë lehtësuar. Deri tani, rastet janë shfaqur në grupe, shpesh të lidhura me festa apo evente ku njerëzit janë mbledhur në numër të madh. Por rastet më të mëdha në grupe, shpesh kanë qenë midis punëtorëve emigrantë. Në Britani, Gjermani, Spanjë dhe Itali punëtorët emigrantë nga Afrika dhe Europa Lindore shpesh jetojnë të grumbulluar në vende të ngushta.

Shumë prej tyre punojnë në fabrika për paketimin e ushqimeve – vende të zhurmshme ku punëtorët qëndrojnë afër njëri-tjetrit, shpesh duke bërtitur që të dëgjohen mbi zhurmën e makinerive, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e virusit. Shumë prej tyre nuk e flasin rrjedhshëm gjuhën lokale dhe kështu nuk i kuptojnë mesazhet për parandalimin e përhapjes së Covid-19 ose për të kontaktuar mjekët nëse sëmuren. Autoritetet e shëndetit publik tani janë më të vetëdijshëm për problemin dhe po përdorin më gjerësisht përkthyes.

Por përhapje të tilla po shfrytëzohen nga politikanët. Më 29 qershor, lideri i Ligës së Veriut të Italisë, Matteo Salvini, u detyrua të braktisë një miting në Mondragone afër Napolit, i cili u ndërpre nga protestues. Ata po protestonin kundër përpjekjes së tij për të përfituar nga përplasjet javën e kaluar midis punëtorëve sezonalë bullgarë dhe banorëve vendas italianë.

Shumica e bullgarëve, të cilët mbledhin të korrat lokale, jetojnë në një kompleks apartamentesh që më 22 qershor u karantinua, pasi u kthye në një pikë të nxehtë virusi. Pothuajse 50 banorë testuan pozitivë dhe u izoluan në një spital aty pranë. Duke refuzuar këtë izolim të ri, disa bullgarë marshuan nëpër qytet, pa maska, duke shkaktuar kritika, madje edhe sulme nga vendasit. Më 12 qershor, një revoltë më pak e dukshme u zhvillua brenda një ish-kazerme që strehonte azilkërkues jashtë qytetit verior Treviso. Në të dyja rastet, arsyeja ishte e njëjtë: frika e emigrantëve se do të humbnin vendin e punës nëse nuk do të paraqiteshin në punë.

Ngjarje të tilla kanë nxjerrë në pah një nga problemet më të ndërlikuara me të cilat përballen të gjitha qeveritë. Që njerëzit të binden për të ndryshuar sjelljen e tyre, për të parandaluar valët e reja të Covid-19, duhet të shqetësohen si për veten, edhe për të tjerët.

Në shumicën e vendeve, sëmundja është perceptuar si një virus që kërcënon të moshuarit, të varfrit dhe minoritetet e margjinalizuara. Por mposhtja e një virusi që është përhapur tashmë në të gjithë botën me një egërsi të tillë, do të jetë e pamundur nëse shumica e njerëzve nuk luajnë sipas rregullave të normalitetit të ri.