Rastet e regjistruara të koronavirusit në nivel global kanë shënuar një tjetër rekord ditor. Sipas llogaritjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në 24 orët e fundit në botë u raportuan të paktën 284,196, një shifër që mund të rritet edhe në orët në vijim sepse jo të gjitha vendet azhurnuan Organizatën për situatën e tyre.

Për momentin, kjo është një rritje prej gati 15% në krahasim me 247.224 raste të raportuara ditën e enjte. Rekordi i mëparshëm ditor ishte shënuar të shtunën e kaluar me 259.848 raste.

Epidemia e koronavirusit po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, ku numri i përgjithshëm i të prekurve nga infeksioni është rritur në më shumë se 15.7 milionë, për një total viktimash prej mbi 640 000. Renditjen në grafikun e pandemisë e kryeson SHBA, e ndjekur nga Brazili, India, Rusia dhe Afrika e Jugut.

Situata në Kontinentin Amerikan vazhdon të mbetet shqetësuese. Ky territor ka regjistruar deri tani rreth 8.5 milionë të identifikuar me koronavirus, duke detyruar shumë vende të vendosin masa të reja shëndetësore.

Në SHBA gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 1150 vdekje për një total prej më shumë se 145 500 viktimash si edhe mbi 70 000 raste të reja, duke bërë që të kapërcehet pragu i 4.1 milionë të identifikuarve të prekur nga koronavirusi, me një shtesë dyjavore prej mbi1 milion të konfirmuar të infektuar.