Nga Alfred Peza/
Nuk e keni harruar besoj këngën nacionaliste dhe sovraniste të të gjithë opozitarëve tanë, deri para pak kohësh. Kulmin e koreve të tyre, e kujtoni besoj akoma, kur e arritën më 30 Qershor 2019. Atëherë kur SHBA dhe BE ia dogji skenarin e bojkotit të zgjedhjeve lokale, duke legjitimuar procesin e zhvilluar pa pjesëmarrjen e tyre në votime.
E kishin filluar më herët në fakt, lojën e tyre kundër ambasadorëve të SHBA dhe BE në Tiranë, kundër ndërkombëtarëve të tjerë në Bruksel e Washington, në Venecia e Berlin, sa më shumë e kuptonin se nuk mund ta pengonin dot ecurinë e reformës në drejtësi. E thelluan këtë linjë, edhe kur dogjën mandatet e deputetëve dhe dolën nga Parlamenti në rrugë.
I mbani mend besoj, kur thonin që ndërkombëtarët janë të korruptuar. Se nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të institucioneve, ogranizmave dhe shteteve të tyre. Apo kur u shkonin nëpër shtëpia ku banonin për ti shkruar parulla nëpër muret e pallatit. Kur i shanin e kërcënonin. Kur thonin nëpër banakët e televizioneve se nuk na duhen. Se Europa është një kurvë e vjetër. Se politika e jashtme amerikane nuk është më ajo që ka qenë dikur, sepse tani kanë hallet e tyre të brendshme dhe probleme me BE!
Por nuk u mjaftuan më kaq. Koret kundër ndërkombëtarëve në Tiranë, permes zërave të nacionalistëve dhe sovranistëve të rinj, u rikthyen edhe para e pas protestës së Presidentit të Republikës Ilir Meta më 2 mars të këtij viti, në bulevard. Që në nëntor të 2019, në një konferencë për shtyp, ai kishte shpërthyer kundër tyre duke thënë se nuk interesohen për Kushtetutën e Shqipërisë, por vetëm për xhepat e tyre!
“Ndërkombëtarët po ushtrojnë presion mbi opozitën”. “Ndërkombëtarët përherë kundër opozitës në emër të stabilitetit, në kurriz të demokracisë”. E plot tituj të tjerë, janë parë shpeshherë në mediat opozitare. Janë dëgjuar nga përfaqësuesit e tyre. Janë artikuluar nga propaganda e PD dhe LSI. Sepse për opozitarët tanë, kush nuk është hapur me ta duke aprovuar aksionet politike sipas nevojës së tyre të ditës, është kundër demokracisë!
E pikërisht, të njëjtët që mbajnë lart e më lart flamujtë e rreckosur të nacionalizmit dhe sovranizmit, kanë 24 orë që kanë ndryshuar kurs. Kanë ndryshuar qasje. Kanë bërë kthesë. E çuditërisht kanë gdhirë sot të dashuruar. Me SHBA dhe me BE. Me ambasadorët e perëndimit në Tiranë. Si kurrë më parë në jetën e tyre opozitare. Duke gjetur si shkak për këtë, qëndrimin e PS për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri.
Nuk thonë asnjë fjalë për premtimin e deridjeshëm të Lulzim Bashës, opozitarëve të tjerë dhe shoqërisë civile, për hapjen e listave. Për kauzën e tyre disavjeçare për hapjen e listave. Për presionin e tyre të vazhdueshëm për hapjen e listave. Sepse sot çuditërisht janë kundër tyre. E nëse kanë ndryshuar katërcipërisht qëndrim, ta pranojnë e ta argumentojnë pse janë kundër dhe në fund të fundit, ti bindin shqiptarët se mbyllja e listave është më demokratike se hapja e tyre(?!)
Për ti bishtnuar kësaj teme madhore, për ti ikur thelbit të këtij debati, bëjnë sikur e kanë mendjen diku tjetër. E para nuk thonë se përse janë sot kundër, por kërkojnë shokë dhe nxjerrin një deklaratë të Damian Gjiknurit, për ti mbushur mendjen vetes se edhe PS ka qenë kundër hapjes së listave. Kush është lajmi këtu?! Kjo gjë është shpjeguar me dhjetra herë, duke treguar se përse u reflektua për një kërkesë të shumicës së shqiptarëve dhe të opozitës së re parlamentare.
E dyta, thonë se paska patur një përplasje të Kryeministrit Edi Rama, me ndërkombëtarët. Një qasje e denjë për kulturën e “fake news”-eve, e cila pasi shërndahet, meret dhe citohet prej tyre si burim zyrtar informacioni. Duke na e shitur tani si një të vërtetë absolute. Mbi të cilën kanë ndërtuar gjithë zhurmën për të larguar vëmendjen nga çështja e listave të hapura.
E treta, bëjnë sikur përshëndesin qëndrimet e ambasadorëve dhe të SHBA e BE, për miratimin ashtu siç është të marrëveshjes së 5 Qershorit, të arritur në tryezën e Këshillit Politik. Po këtu ku është lajmi?! PS e ka thënë shumë qartë: Po. Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA e BE do votohet ashtu siç është. Pa i ndryshuar asnjë presje. Pikë. Pse duhet ngatërruar kjo ështje me atë të listave të hapura?
Përgjigja dihet. Por më e rëndësishme se ajo, tani ka dalë fakti se listat e hapura, na e bënë që tani një të mirë të madhe. Na rikthyen dashurinë e opozitarëve, për ndërkombëtarët dhe besimin e tyre të humbur rrugëve, për SHBA dhe BE!