Nga Altin Ketro
Çështja më e nxehtë politike, që po rivalizon edhe temperaturat e larta të korrikut, ka të bëjë me diskutimin e hapjes ose jo të listave. Paralelisht me të është në diskutim edhe heqja apo mbajtja e koalicioneve para zgjedhore.
Personalisht kam qenë qysh në krye të herës partizan i listave të mbyllura për të cilat kam dhënë edhe argumentet përse i mbështes në kushtet e Shqipërisë. Por, nëse ne do të kishim një administrim zgjedhor të modelit zviceran, një fushatë elektorale po të modelit zviceran, një pritje rezultati nga palët gjithnjë sipas modelit zviceran, një elektorat të stërvitur me koklavitjet që sjellin fletët e votimit me lista të hapura, natyrisht do votoja me të dyja duart pro listave të hapura.
Pafuqia e grupimeve të reja për të prodhur liderë frymëzues, të cilët të ngrenë po ashtu ekipe frymëzuese që t’i rivalizojë denjëzisht dy partitë e mëdha, nuk mund të bëj me faj listat e mbyllura. Nuk ka logjikë, për shembull, që nuk votojmë listat e mbyllura të partisë së filozofit Ndoka, por do e votojmë këtë parti po të jenë listat e hapura sepse do kemi mundësi të përzgjedhim midis emrave që filozofi do ketë vënë në listë, ndonëse si tek njëri ashtu edhe tek tjetri variant, emrat do të jenë të njëjtit.
Gjithsesi, ajo çfarë i djeg më shumë opozitës jashtë parlamentare nuk është çështja e listave, por ajo e koalicioneve. Partia Demokratike po përpiqet të krijojë idenë në publik se rotacioni politik është i sigurt nëse ruhen koalicionet. Lulzim Basha nuk e fsheh që nuk e mund dot Edi Ramën si numër deputetësh, por shpresën e mban tek partitë e tjera, shumatorja e numrave të të cilave i lë të besojë se do ta parakalojë PS-së në zgjedhje.
Kushtetuta e Shqipëris, në nenin 96 të saj, thekson se: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.” Pra, presidenti i drejtohet partisë që ka e vetme së paku 71 mandate, ose koalicionit që ka së paku po aq.
Në zgjedhjet e vitit 2017, ku nuk u lejuan koalicionet para zgjedhore, mandatet u ndanë si vijon: PS 74, PD 43, LSI 19, PDIU 3, PSD 1. Sipas kushtetutës, presidenti ia dha PS-së mandatin për të krijuar qeveri. Në një rast hipotetik në zgjedhjet e vitit 2021, duke ruajtur koalicionet, nëse rezultati do të dilte: PS 68 mandate, PSD 1, në total koalicioni i PS me 69 mandate; kurse në kampin tjetër: PD 50 mandate, LSI 18, PDIU 3, në total koalicioni i PD-së 71 mandate, sipas kushtetutës i bie që presidenti t’i japë PD-së të drejtën për të krijuar qeveri.
Nga pikëpamja ligjore kjo është në rregull, por moralisht është një padrejtësi e madhe të cilën kushtetuta nuk e adreson drejt. Kudo mandatin për të formuar qeveri e merr partia që del e para në zgjedhje. Se sa e zonja është ajo për ta formuar qeverinë, kjo është çështje tjetër. Kushtetuta të lë 10 ditë për të formuar qeverinë dhe nëse nuk ia del, presidenti kalon tek emri tjetër. Të kesh 18 deputetë më shumë se partia e dytë në renditje për nga numri i mandateve, e të mos të jepet fillimisht e drejta ty për të krijuar qeverinë, kjo është një padrejtësi ndaj vullnetit të popullit.
Në fletën e votimit, partitë votohen emër për emër, jo si koalicion. Koalicioni thjesht shërben si një mënyrë që votat që nuk i hyjnë në punë një partie, i mblidhen partisë tjetër që renditet më poshtë. Në fakt, zgjedhësi ka votuar partinë, jo koalicionin dhe është absurde që një votë e hedhur për partinë A, të numërohet më pas si votë për partinë B.
Që Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e dinë që nuk e parakalojnë dot PS-së në mandate, kjo është mëse e dukshme që kur sheh këmbënguljen e tyre për të ruajtur koalicionet para zgjedhore. Shpresa e tyre është sidomos LSI-ja, për të cilat thanë të 99-tat në fushatën e vitit 2017, përbetime që kurrë nuk do bënin koalicion me ta, akuza që çuditërisht edhe vetë LSI-ja i kapërdiu sepse e kuptoi që Basha kishte të drejtë në ato që thoshte.
Mesazhi që Lulzim Basha i përcjell elektoratit demokrat, ku haptazi i thotë që PS-në nuk e mund dot tek për tek, por më duhet edhe LSI-ja në rresht, që votat që ti demokrat do i japësh PD-së t’i shërbejnë edhe LSI-së për të shtuar ndonjë deputet, është mesazh prej disfatisti.
Konkurrimi më vete i secilës parti është një sjellje demokratike, sepse i jep secilës hakun që meriton. Ky lloj konkurrimi do të jetë shumë produktiv, sepse i bën partitë më të përgjegjshme duke u fokusuar vetëm tek vetja e tyre për të dalë të parët, dhe jo tek halli se cilat parti (shumica parazitare) pranuan apo jo të bëjnë koalicion me to.
Natyrisht, kjo do t’i bëjë mirë edhe partive të tjera më të vogla, sepse pas kësaj askush nuk do t’i akuzojë përse ndryshojnë kah politik, majtas apo djathtas. Secila prej tyre do të jetë e lirë të tregohet pragmatiste dhe të zgjedhë të bëjë koalicion pas zgjedhor me partinë që ka numrin më të madh të mandateve, në bazë të interesave programore të elektoratit që përfaqëson.
Si përfundim, listat e mbyllura duhen mbajtur të paktën edhe për këto zgjedhje. Kurse koalicionet para zgjedhore nuk duhet të ekzistojnë më. Demokraci e vërtetë do të thotë kur partitë futen të vetme në zgjedhje dhe aty kuptojnë se sa i vlerëson elektorati me vota. Partia që del e para në zgjedhje duhet të jetë po e para që të ketë të drejtën për të formuar qeverinë. Është imediate që të heqim dorë prej mandateve model “Dushku” që prodhohen brendapërbrenda koalicioneve para zgjedhore.
(TemA)