Nga Carlo Bollino/

Mundësia që Parlamenti të votojë listat e hapura dhe si pasojë të pengojë mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore, nuk është as grusht Shteti dhe as shkelje e Kushtetutës: Thjeshtë, është pasoja e parë politike dhe konkrete, e gabimit të PD-së dhe LSI-së me vendimin e marrë për bojkotimin e Kuvendit.

E kam shkruar tashmë shumë herë se ai vendim i sugjeruar nga çifti djallëzor Berisha-Basha dhe i pranuar qorrazi nga aleatët e tyre (në dukje e kundërshtuar nga Ilir Meta që në të vërtetë i kishte llogaritur pasojat) përbënte një vetëvrasje politike për opozitën.

Basha, Monika dhe analistët e tyre krenoheshin deri më sot, pavarësisht rrezikshmërisë së dukshme dhe dënimit unanim nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Sot, 17 muaj më pas, Partia Demokratike dhe aleatët e saj po shohin përballë tyre bumerangun e atij vendimi që pas një harkoreje të gjatë në qiell po i fluturon drejt kokës. Nëse nuk do të kishin braktisur Kuvendin duke krijuar iluzione se do të përmbysnin qeverinë dhe do të mund të vazhdonin të merrnin vendime edhe duke qëndruar jashtë institucioneve në të cilat merren vendime, sot do të ishin në sallë për të bllokuar me votat e tyre modifikimin kostitucional që do të eliminojë koalicionet.

Në fakt në vend të atyre janë 44 deputetë që vijnë po nga listat PD dhe LSI, por që kanë vendosur të mos ndjekin direktivat e Partisë, dhe nuk janë dorëhequr. Një shenjë pavarësie që përbën testin e parë të atij që do të jetë nesër një parlament i tërë i zgjedhur me lista të hapura, ku deputetët janë të lirë nga urdhërat e kryetarëve të partive të tyre, pikërisht siç duhet të ndodhë gjithmonë në një demokraci moderne.

Janë pikërisht këto parlamentarë të opozitës që kërkuan aplikimin e listave të hapura dhe që Partia Socialiste ka vendosur sot të lejojë, duke marrë në këmbim mbështetjen e tyre për të votuar edhe marrëveshjen e 5 qershorit.

Basha inatoset kur konstaton se kjo kërkesë e opozitës së Murrizit dhe të Rudina Hajdarit të favorizojë në të njëjtën kohë Partinë Socialiste që ndoshta do të penalizohej më shumë nëse do të hynte në garë kundër një koalicioni.

Një kryqëzim i rastësishëm interesash i bërë mes të pranishmëve në Kuvend që penalizon ata që janë jashtë tij: në politikë dhe në jetë ndodh gjithmonë kështu.

Në fund të fundit sa dhurata të tjera të papëlqyera i ka bërë opozita e Bashës qeverisë? Bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ishte një dhuratë akoma më e madhe që PD dhe LSI i ofruan kryeministrit, i cili sot shkon në fushatë zgjedhore duke pasur nën kontroll 59 bashki nga 60?

Basha gënjen kur pretendon se hapja e listave dhunon marrëveshjen e 5 qershorit. Në atë marrëveshje në fakt, në pikën 10, saktësohet se marrëveshja dhe vetëm ajo nuk mund të modifikohet pa konsensusin e të gjithëve para votimit në parlament.

Dhe në të vërtetë ajo marrëveshje nuk është prekur dhe do të votohet në parlament saktësisht siç është shkruar, me të gjitha garancitë dhe rregullat e pretenduara nga Basha kundër rrezikut të manipulimit të rezultateve dhe duke garantuar vazhdimësinë e të njëjtës administratë zgjedhore politike pikërisht siç ka kërkuar Basha.

Duke ridëgjuar deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim në prag të firmës, ishte pikërisht Partia Socialiste që bëri lëshim mbi të gjitha kërkesat e opozitës, ndërsa kush vazhdonte të vendoste kushte ishte Basha.

Nëse frika e tij ishte humbja e koalicioneve, përse Basha nuk kërkoi të përfshinte edhe këtë garanci në marrëveshjen e 5 qershorit?

Me siguri e ka harruar duke mos menduar të shohë pak më larg se sa ajo letër që po firmoste, duke kryer kështu një gabim tjetër politik siç ishte bojkoti i parlamentit, protestat e dhunshme dhe sabotimi i zgjedhjeve vendore. Po ku është e shkruar se i takon shumicës të sistemojë gabimet politike të opozitës? Rotacioni politik është një oportunitet që iu ofrohet zgjedhësve çdo katër vite për të zgjedhur ndryshimin e qeverisë kur e shohin të nevojshme, por ky nuk është një detyrim konstitucional që duhet të garantohet nga qeveria në fuqi.

Ajo që është e domosdoshme është vetëm që rregullat zgjedhore të jenë të barabarta për të gjithë, dhe si listat e hapura, ashtu dhe ndalimi i koalicioneve do të vlejnë për të gjithë, jo vetëm për opozitën.

Natyrisht i takon partive dhe kandidatëve gjatë fushatës të bindin zgjedhësit dhe të marrin numrin e votave të duhura që të bëhen forca e parë politike në vend, duke fituar edhe të drejtën për të bërë qeverinë e re. Pikërisht çka ndodh me sistemin zgjedhor danez I propozuar si model nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Përse kjo gjë kaq normale që sot e propozon edhe Kuvendi krijon habi dhe nuk çudit pretendimi i Lulzim Bashës të bëhet kryeministër i vendit edhe pse PD nuk do të dalë partia më e votuar?

Ndryshe nga sa Basha tregon, në marrëveshjen e 5 qershorit nuk shkruhet në asnjë pikë as që sistemi zgjedhor të diskutohet me konsensus edhe nga forcat joparlamentare, por në një shënim në fund të faqes thuhet thjeshtë se nuk është arritur asnjë konsensus mbi modifikimin e sistemit zgjedhor.

Përse, kur në 2008 PD dhe PS modifikuan pa konsensus nga forcat e tjera politike kodin dhe Kushtetutën duke ndryshuar totalisht sistemin zgjedhor duke vendosur mes te tjerash edhe listat e mbyllura, ishte një vendim legjitim, ndërsa sot pretendohet unanimiteti dhe konsesusi deri edhe te forcat jashtëparlamentare? Dhe në qershor të 2017 nuk u votua pa koalicione vetëm në bazë të një marrëveshje PD-PS pa pasur konsensus mes forcave politike të tjera? Është firma e Bashës apo e Berishës ajo që vendos legjitimitetin e një rregulli apo është shumica e votave në parlament që i certifikon?

Ndoshta pse brenda tij është i ndërgjegjshëm mbi absurditetin e pretendimeve të veta, Basha i bën thirrje të dëshpëruar mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar. Duke ndjekur logjikën infantile të një fëmije që gjykon se babai është i mirë nëse i jep karamele dhe i keq kur nuk ja jep, kështu Basha sot ka ndryshuar mendim dhe lavdëron çdo tre minuta Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian që për vite ka injoruar dhe kritikuar, kur denonconte të famshmen “republikë ambasadorësh”. Basha dhe Berisha sot admirojnë deri edhe rolin e OSBE-së ambasadorin e të cilës Bochard e kërcënuan publikisht, ndërsa ODIHR (në 1996) arritën edhe ta dëbojnë nga vendi. Por ndërsa koherenca nuk është cilësi e kësaj opozite, koherenca pretendohet e shenjtë nga komuniteti ndërkombëtar.

Deri më sot Bashkimi Europian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë njohur legjitimitetin e plotë të këtij parlamenti, duke dënuar pa hezitim bojkotimin e opozitës: si do të mundnin sot të konsideronin të paligjshme modifikimet kushtetuese të votuara nga shumica e cilesuar (duhen në fakt të paktën 94 vota) të parlamentit të vetëm në detyrë?

Dhe nëse deri më sot ndërkombëtarët kanë konsideruar si të jashtëligjshëm vendimin e opozitës për braktisjen e kuvendit gjatë një akti rebelimi institucional pa precedent në demokracitë moderne, si do të mundnin sot të falnin duke i lejuar që të impononin një veto mbi zgjedhjet e parlamentit? Dhe nëse ky parlament konsiderohet i ligjshëm për të votuar marrëveshjen e 5 majit, përse do të ndalonte së qeni nëse të njëjtët deputetë do të votojnë edhe modifikimet që nuk prekin atë marrëveshje dhe të themi të vërtetën, nuk modifikojnë as sistemin elektoral?

“Në një demokraci legjislatori është shkalla e parë ku çështjet politike që prekin të gjithë vendin duhet të debatohen dhe ku duhet të kërkohen zgjidhjet” ka qenë fjala kyç e komunitetit ndërkombëtar deri më tani. Pas 17 muajsh ndërkombëtarët vendosin me Bashën për ta konsideruar parlamentin një vend ku sovraniteti është i kufizuar? Që kur kanë ndryshuar ide duke rrëzuar një princip mbi të cilin bazohen edhe kushtetutat në vendet e tyre?

Bashkimi Europian ka vendosur si kusht për të hapur negociatat reformën elektorale, që është saktësisht ajo e arritura me marrëveshjen e 5 qershorit që në fakt do të votohet. Ndërsa si Bashkimi Europian dhe OSBE-ODIHR dhe Departamenti i Shtetit kanë deklaruar gjithmonë se nuk duan të ndërhyjnë në problemin e sistemit zgjedhor që është një çështje e brendshme e politikës shqiptare. Edhe mbi këtë kanë ndryshuar mendim? Pra nuk është vetëm parlamenti me sovranitet të kufizuar, por tani i gjithë vendi? Kjo gjë nuk është e mundur.

Të lejosh që opozita ekstraparlamentare të vendosë veton mbi një parlament të tërë do të thotë jo vetëm të mohosh legjitimitetin e atyre deputetëve që në ndryshim me të tjerët zgjodhën të mos tradhtojnë detyrën e tyre kushtetuese, por edhe minon në themel legjitimitetin e të gjitha ligjeve të votuara deri më sot dhe krijon një precedent shumë të rrezikshëm pasi e vendos Shqipërinë jashtë rregullave të demokracive perëndimore dhe e projekton në fushën e anarkisë ku sabotimi i institucioneve kushtetuese duket më i leverdisshëm se respektimi i tyre.(shqiptarja.com)