Ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Vasac kërkoi nga Pogradeci, ku ka zhvilluar një vizitë që pozita dhe opozita të bashkëpunojnë për Reformën zgjedhore. Ajo e cilësoi pyetjen në lidhje me qëndrimin e PD pro hapjes së listave e kundër heqjes së koalicioneve parazgjedhore, si “tërësisht shqiptare”.
“Ka një projekt të rieditimit të të gjithë Kushtetutës shqiptare. Kryeministri është shprehur në mënyrë publike dhe në Parlament në lidhje me këtë. Ka edhe një qëndrim të presidentit të vendit, i cili na mblodhi ne të gjithë ambasadorëve të BE dhe të Mbretërisë së Bashkuar dje. Iu përket shqiptarëve dhe vetëm atyre që ta trajtojnë këtë çështje”, u shpreh ambsadorja Vasac.
Ajo theksoi se “ka një kalendar i cili është vendosur dhe nëse do të respektohet ose jo kalendari këtë do ta tregojë koha. Por do të duhet një bashkëpunim i pozitës dhe opozitës në mënyrë që ne të marrim një rezultat”.
Pyetjes se a janë praktika të mira aleancat paszgjedhore, ambasadorja i përsëriti përgjigjen “themeli i organizimit është një çështje shqiptare”.
Në lidhje me pyetjen se pa një reformë të plotë të drejtësi dhe reformën zgjedhore, a hapen dyert e BE-së, ambasadorja Vasac tha: “Siç ju e dini në 25 mars janë hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të fokusohemi tek konkluzionet dhe kjo nuk është diçka e re. Qëllimi kryesor është që të konkretizohet situata, në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare”.
“Është gabim të themi pa pushim që po shtohen kushtet për Shqipërinë. Unë ju sugjeroj që të lexoni konkluzionet e 25 marsit dhe konkluzionet e mëparshme. Interesi i Shqipërisë është që të mbahet sa më parë konferenca ndërqeveritare dhe për këtë është duke punuar ambasadori Zef Mazi i emëruar nga kryeministri”, u shpreh ajo