Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti vlerësoi sot ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë përmes politikave të saj kontribuan në stabilitetin makroekonomik të vendit në kohë pandemie Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Kuvendit ku u prezantua raporti për vitin 2019 nga Guvernatori Sejko, deputetja socialiste vuri në dukje se “ky institucion do të duhet të vijojë punën e tij për ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurt financiar, duke krijuar premisë për rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të vendit”.

“Gjatë vitit lamë pas ekonomia shqiptare vijoi rimet pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend vijoi të rritet ndërsa treguesit kryesor marko ekonomik e financiar u përmirësuan”, shtoi ajo. Sipas Gjylametit, përmes politikave të ndjekura, Banka e Shqipërisë ka synuar jo vetëm promovimin e stabilitetit financiar, por edhe forcimin e mbikëqyrjes financiare bankare në përputhje me parimet e Komitetit të Bazelit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Masat e BSH gjatë periudhës së pandemisë kanë synuar zbutjen e efekteve negative dhe mbi të gjitha mirëqënien e bizneseve e të individit dhe krijimin e të gjitha premisave për një rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare”, deklaroi ajo. Gjylameti vuri në dukje se monitorimi rigoroz i konsolidimit të sektorit bankar ka ndihmuar forcimin e shëndetit të tij, rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e ofertës së kredisë. “Në këtë vit të rëndësishëm që nuk ka qenë i lehtë për ekonominë shqiptare, për shkak të goditjes prej dy tërmeteve, treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit kanë ardhur në përmirësim dhe stabilitetit financiar i vendit është përmirësuar. Sistemi financiar shfaqet i qëndrueshëm dhe sektori bankar karakterizohet nga tregues në përmirësim të kapitalit, likuiditetit dhe të përfitueshmërisë“, u shpreh ajo.

Sipas Gjylametit, kursi stimulues i politikës monetare ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të financimit, zgjerimin e aktivitetit kreditues, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe familjeve dhe kufizimin e presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit, duke nxitur rritjen për kërkesë për mallra e shërbime. “Rritja e kërkesës ka sjellë zgjerimin e punësimit, pagave e kostove të prodhimit, çka ka ndihmuar në ruajtjen e inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Shkalla e papunësisë edhe pse një vit i vështirë ka ndjekur tendencën rënëse të shfaqur që prej vitit 2016, duke qëndruar në tremujorin e tretë të vitit që shkoi në nivelin historik më të ulët prej 13.4%”, tha ajo.

Analizat tregojnë, vijoi Gjylameti, se ky sektor ka rritur aftësinë e tij për përballimin e goditjeve, duke garantuar një kontribut të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit.