Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë vijuar inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin në kuadër të Taskforcës antiCOVID. Në një njoftim për shtyp AKU bën të ditur se, “kërkohet vëmendje maksimale nga bizneset që të zbatohet përpikmërisht protokolli i sigurisë kundër përhapjes së COVID -19”.
Nga kontrollet e kryera deri tani janë dhënë masa administrative me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezave shëndetësore, librezave të ujit, etj. Sipas AKU-së, mbi bazën e planit të marrjes së mostrave, janë marrë 38 mostra për kryerjen e analizave laboratorike, ndërsa janë kryer gjatë ditës së sotme 469 inspektime dhe monitorime në operatorët e biznesit, në të gjithë vendin. AKU njofton se, do të vijojë të qëndrojë intensivisht në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtje të shëndetit të konsumatorit.