Parlamenti miratoi sot disa ndryshime të Aktit Normativ, për subjektet që nuk do të zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për mosofrimin e shërbimit në ambiente të mbyllura të bareve, lokaleve dhe restoranteve. Qëllimi i këtij ndryshimi miratuar sot në parlament është marrja e disa masave, që synojnë uljen e infeksionit, që është duke u shtuar dhe duke krijuar probleme në sistemin shëndetësor: detyrimi i mbajtjes së maskës në mjediset e mbyllura do të shoqërohet me penalitet. Ekspertët teknikë kanë konkluduar se një nga arsyet e shtimit është mosrespektimi i protokollit të mbajtjes së maskës.
Sipas Aktit Normativ, në bare, lokale dhe restorante nuk lejohet ofrimi i shërbimit në ambiente të mbyllura dhe kur nuk e zbatojnë këtë vendim, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritje, iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore. Gjithashtu, sipas Aktit Normativ të miratuar sot në Kuvend nuk lejohet ofrimi i shërbimit as në mjedise të mbyllura ose të hapura në klubet e natës, diskove, lounge bareve dhe çdolloj shërbimi të kësaj natyre ku gjoba ndaj tyre është 3 000 000 (tre milionë) lekë dhe në rast përsëritjeje, u pezullohet aktiviteti për një periudhë njëvjeçare.
Sipas Aktit Normativ, në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Policia e Shtetit do jetë përgjegjëse për zbatimin e këtyre tre masave të përforcuara në kuadër të luftës ndaj pandemisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “masat antiCOVID-19 janë të vështira, por të domosdoshme për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së infeksionit që vjen nga koronavirusi i ri”.
Ajo tha se këto masa janë masa restriktive dhe vendosen jo për vendosjen e gjobës si qëllim në vetvete, por për të parandaluar. “Është vlerësuar dhe analizuar që të rinjtë apo ata që frekuentojnë klubet e natës, diskot apo subjekte të tjera si këto janë vlerësuar si përhapës të një zinxhiri infeksioni përgjatë kësaj periudhe”, deklaroi ministrja.