Barcelona fitoi minimalisht 1-0 ndaj Valadolidit me gol nga Arturo Vidal duke mbajtur disi gjallë shpresat për titull kampion. Kiliani u asistua nga Mesi, për të shënuar golin e vetëm të takimit që i dha tre pikët katalanasve.
Ky asist i Mesit bëri që argjentinasi të hyjë në historinë e La Ligas si lojtari i parë që shënon mbi 20 gola dhe dhuron mbi 20 asiste gjatë një sezoni të vetëm. Mesi është lojtari i parë që arrin shifrën e 20 asisteve në një sezon të La Ligas që nga koha e Ksavit në sezonin 2008-2009. Por, ajo që e bën rekordmen Mesin është se asnjë nuk ja ka dalë të arrijë bashkë me asistet edhe mbi 20 golat në La Liga. Argjentinasi është lojtari i dytë në pesë ligat kryesore të Europës këtë dekadë që arrin mbi 20 gola dhe mbi 20 asiste në një sezon të vetëm, pas Tierri Henrisë në sezonin 2002-2003 që e arriti me Arsenalin.