Sot Ilir Meta shpëtoi nga shkarkimi nga votat e atyre që e dërguan në Presidencë, por kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla kishte një paralajmërim për kreun e shtetit. Balla tha nga foltorja e Kuvendit se këtë javë, Ilir Meta mund të bëjë një tjetër shkelje akoma më të rëndë, por pa e specifikuar se për cfarë bëhet fjalë.

Megjithatë, Balla dha një indicie, kur tha se gabimi mund të jetë përsëritës, pra që lidhet me dekretet, atë për të cilën sot u fal. Por cfarë ka në dorë Presidenti aktualisht lidhur me dekretet? Caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Kërkesat e 55 deputetëve janë të gjetura në raport tërësisht dhe uroj që situata të tilla të mos përsëriten, edhe pse nuk kam asnjë dyshim që duke filluar nga kjo javë presidenti mund të bëjë një shkelje më të rëndë se këto që analizuam më lart. Përsëritja mund të jetë një faktor për përcaktimin e shkeljes së rëndë. Uroj që të mos i kryejë këto shkelje. Opozita jashtë parlamentit ka edhe një tjetër seli në presidencën e vendit” tha Balla.

Në Kodin zgjedhor specifikohet që presidenti duhet të dekretojë datën 9 muaj përpara zgjedhjeve. Duke konsideruar se koha e zgjedhjeve është spostuar me fashën e re 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor, duke marrë në konsideratë zgjedhjet në pranverë, pra në fashën e parë, do të ishte shkelje nëse Presidenti do ta shpallte datën më vonë se gushti.