Në ndryshimet në buxhetin e vitit 2020 qeveria ka miratuar një fond shtesë prej 900 milionë lekë për bonusin e qirave për familjet të cilat u prekën nga tërmeti i rëndë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit që lamë pas. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se Qeveria ka akorduar edhe 900 milionë lekë fond shtesë për bonusin e qiravë për të prekurit nga tërmeti i nëntorit.

“Ecim paralelisht me investimet për qytetarët në procesin e rindërtimit, ku asnjë familje e prekur nuk do të mbetet pas”, deklaroi Denaj. Për rimëkëmbjen e dëmeve dhe pasojave të shkaktuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit duhen 1,076 miliardë euro. Dëmet llogariten në 985 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar nga qeveria në fillim të muajit shkurt, shumica e dëmit është regjistruar në sektorin e strehimit (78,5%), e ndjekur nga sektori prodhues (8,4%) dhe sektori i edukimit (7,5%). Më 17 shkurt në Bruksel u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve e inicuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Një shumë prej 1.15 miliardë euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua në përfundim të Konferencës. Shuma e grumbulluar shkoi përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliardë euro. Pavarësisht situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19, qeveria ka vijuar me programin e saj për rindërtimin e zonave të prekura nën moton “Ndërto më mirë“.

Aktualisht janë hapur disa kantiere ndërtimi si në Fushë-Krujë apo Kavajë. Po ashtu ka nisur edhe ndërtimi i shkollave të dëmtuara. Nga ana tjetër një fond prej më shumë se 70 milionë dollarësh po shpërndahet për familjet me dëmtime të riparueshme të shtëpive.