Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kërkoi sot veprimin e 27 vendeve të Bashkimit Europian që do të mblidhen më 17-18 korrik për të miratuar një plan gjigant për rimëkëmbjen ekonomike europiane, duke prezantuar propozimin e tij të negociatave që tenton të zbusë qëndrimin e të ashtuquajturve “të kursyerit” (Austria, Holanda, Suedia dhe Danimarka – shën. i përkth.).

“Është koha të reagojmë, është koha të vendosim”, deklaroi Michel, i cili ka marrë propozimin e Komisionit Europian për një plan rimëkëmbjeje prej 750 miliardë euro, i përbërë nga subvencione dhe kredi.

Nga ana tjetër, ai ka rishikuar në rënie projektbuxhetin shumëvjeçar të BE-së (2021-2027), mbi të cilin mbështetet ky plan, në 1,074 miliardë euro (nga 1,094 miliardë në propozimin e tij të shkurtit). Austria, Holanda, Suedia dhe Danimarka kanë qenë të rezervuara për sa i përket këtij plani rimëkëmbjeje, nga i cili do të përfitojnë kryesisht nga vendet e Jugut, Italia dhe Spanja në krye, më të prekurit nga pandemia.

Ky plan rimëkëmbjeje ka si qëllim të kompensojë pjesërisht pasojat e pandemisë që do të zhysë ekonominë e Kontinentit të Vjetër në një recesion të thellë. Për herë të parë, Komisioni Europian do të marrë hua në një shkallë të gjerë në tregjet financiare, duke krijuar një borxh të përbashkët. Charles Michel propozoi që rimbursimet e shteteve të fillojnë nga 2026, ndërkohë që Komisioni kishte propozuar 2028.