Nga Mimoza Caca

Të djegësh vendin në emër të një partie nuk është trimëri, është tradhti ndaj vendit dhe ndaj vetë popullit që pretendon se përfaqëson!

Kur digjen institucionet, shkatërrohet prona dhe hidhet benzina mbi zemërimin e njerëzve, duhet të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Kush fshihet pas kësaj? Kush i frymëzon, kush i financon dhe kush ka interes që Shqipëria të zhytet përsëri në kaosin e vitit 1997?

A mos vallë dikush ka nevojë për zjarr, që populli të mos shohë të vërtetën? A mos vallë dikush kërkon pushtet përmes frikës, shkatërrimit dhe gjakut të shqiptarëve?

Shqipëria e ka paguar shtrenjtë çmimin e anarkisë. Viti 1997 nuk ishte një film që mund ta shohim nga larg; ishte një tragjedi kombëtare, me jetë të humbura, familje të shkatërruara dhe një shtet që u gjunjëzua.

Mos e ngatërroni trimërinë me vandalizmin, protestën me dhunën dhe atdhetarizmin me bindjen e verbër partiake!

Kush e do Shqipërinë, e mbron atë. Kush e do demokracinë, proteston me dinjitet. Kush kërkon drejtësi, nuk i vë zjarrin shtëpisë së vet për të ndëshkuar kundërshtarin.

Dhe nëse dikush po e përdor zemërimin e qytetarëve për interesa politike, atëherë le të dalë në dritë dhe të mbajë përgjegjësi. Hetimet, provat dhe drejtësia duhet të tregojnë se kush qëndron pas akteve të dhunës, jo thashethemet dhe as hakmarrja politike.

Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie! Nuk është plaçkë për t’u ndarë dhe as një fushëbetejë për ambiciet e politikanëve.

Mjaft me zjarrin në emër të flamurit! Flamuri nuk valëvitet mbi rrënoja, por mbi një komb që di të mbrojë dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e tij.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një tjetër vit ’97. Kanë nevojë për drejtësi, përgjegjësi dhe një shtet që u përket atyre, jo atyre që përfitojnë nga kaosi!