Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit “Për rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale, në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të KSA-së e FATF dhe Planit të Veprimit ICRG/FATF”. Marrëveshja parashikon marrjen e masave për inicimin dhe realizimin e ndryshimeve ligjore apo nxjerrjen e akteve nënligjore të nevojshme si dhe krijimin apo përmirësimin e strukturave të veçanta sipas fushës së veprimit të këtij memorandumi me personelin më të kualifikuar.

Ministri Lleshaj u shpreh me këtë rast se : “Lufta kundër pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, në fakt është thelbi i luftës kundër krimit të organizuar. Shterimi i burimeve të financimit të krimit, si edhe pengimi i krimit për të gëzuar produktet e veprës kriminale, është thelbi i të gjithë përpjekjes i cili çon në shkatërrimin e modelit të biznesit.“ Duke ilustruar efektet e implementimit të kësaj politike, Lleshaj vuri në dukje efektet e ndjeshme që ajo ka dhënë vitet e fundit. “Në vitin 2019 ne kemi arritur të sekuestrojmë një nivel historik asetesh me origjinë kriminale. Pra, një volum që shkon te 100 milionë euro, është një rekord historik,” tha ndër të tjera Lleshaj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj, shpjegoi hapat e ndërmarra nga institucioni që ajo drejton, në kuadër të luftës kundër krimit ekonomik e financiar.

“MFE ka filluar intensivisht punën për ngritjen e 2 regjistrave të rinj themelor në vendin tonë, një për pronarët përfitues të personave juridik, legjislacioni për të cilin është konsultuar edhe publikisht me grupet e interesit; -si dhe për regjistrin kombëtar të llogarive. Këta regjistra do t’u shërbejnë jo vetëm agjencive të zbatimit të ligjit dhe atyre të inteligjencës, por edhe organeve tona tatimore dhe doganore,” – u shpreh Denaj. Denaj nënvizoi se me këtë marrëveshje rritet bashkëpunimi ndërinstitucional, që është një “kërkesë për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA), midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Planit të Veprimit të ICRG/FATF në afatet e përcaktuara nga secili institucion përgjegjës.”

Në memorandum theksohet se : “Palët angazhohen të marrin masat e nevojshme mbikëqyrëse, monitoruese dhe koordinuese sipas kompetencave ligjore, të kryejnë analiza të përbashkëta dhe të shkëmbejnë informacione midis institucioneve me qëllim evidentimin e saktë dhe të plotë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushat e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe kryerjen e hetimeve pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.”

Marrëveshja saktëson kontributin e secilit institucion, duke përcaktuar detyrat dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese në gjurmimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale në fushat e pastrimit të produkteve të veprës penale, krimeve financiare, financimit të terrorizmit, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, të kryera nga subjekte person fizik apo person juridik, sipas veprave të Kodit Penal. Nënshkrues të këtij memorandumi janë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit Pastrimit të Parave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.