Deputeti gjerman i CDU Peter Beyer ka reaguar për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit nga parlamenti.
Në reagimin e tij ai thotë se tashmë marrëveshja duhet të implementohet plotësisht, ndërsa thotë se nuk ka më kohë për të humbur deri më 30 korrik, duke i kërkuar opozitës, si asaj parlamentare por edhe asaj të bashkuar që të kontribuojnë në Këshillin politik.
“Mirëpres ndryshimet e ligjit zgjedhor në Shqipëri. Duhet të implementohet plotësisht. Të gjitha fuqitë politike brenda dhe jashtë parlamentit duhet të kontribuojnë tani në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi me argumente në Këshillin Politik. Nuk ka kohë për të humbur deri në 30 korrik. Është për qytetarët shqiptarë në BE”, shkruan ai në twitter.
Marrëveshja është miratuar me voton pro të 100 deputetëve. Ndërkohë kanë qenë 6 deputetë që kanë votuar kundër kësaj marrëveshje të arritur më 5 qershor, ndërsa 3 deputetë të tjerë kanë qenë abstenim.
Marrëveshja mund të kalonte edhe me 84 vota, por PS-ja firmosi marrëveshjen me opozitën parlamentare pak ditë më parë.