Mjekja hematologe, Alma Cili, ishte e ftuar në studion e “Dita jonë” në A2 për të treguar eksperiencën e saj me koronavirusin.

Doktoresha, e cila u infektua me Covid-19 rreth 7 javë më parë, kujton simptomat e para: “Në klinikën e hematologjisë kemi pasur raste, por nuk jemi mbyllur duke qenë se aty trajtojmë kancer. Më nisi një dhembje fyti, por e injorova sepse gjatë gjithë kohës kemi qenë të mbrojtur me maska. Pas dy ditësh ndihesha e lodhur, ndërsa më pas më nisi një kollë e fortë”.

Cili kujton dhe një episod ku nga kolla e fortë është rrëzuar: “Jam rrëzuar në korridor dhe nuk mund të merrja frymë. Ishte një kollë që zgjati rreth 10 minuta dhe nuk më lejonte që të merrja frymë. Kolla vazhdoi gati një ditë dhe aty e kuptova që ky ishte koronavirusi. Të nesërmen në mëngjes bëra nja skaner mushkërish dhe kishte disa zona të prekura. Testimi, ashtu siç prisja, doli pozitiv. U prekën nga koronavirusi edhe bashkëshorti me fëmijët. U karantinuam jashtë Tirane”.

Mjekja pati një apel edhe për ata që nuk besojnë se virusi ekziston: “Koronavirusi është shumë i rrezikshëm. Ka njerëz që nuk e besojnë Covidin, por ka edhe 30-vjeçarë që kanë humbur 12 kg nga virusi”.