Irani ka mohuar akuzat e Emirateve të Bashkuara Arabe se Teherani ka lëshuar dy raketa balistike drejt territorit të vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, i ka cilësuar akuzat si “të pabazuara” dhe ka deklaruar se i refuzon plotësisht pretendimet e Abu Dhabit.

Sipas Baghaeit, akuzat ndaj Iranit janë në kundërshtim me parimin e fqinjësisë së mirë dhe dëmtojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit mes vendeve të rajonit, si dhe për parandalimin e përshkallëzimit të pasigurisë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në rajon të shmangin akuzat e pabazuara ndaj Iranit”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Baghaei kërkoi gjithashtu që çdo vlerësim mbi situatën të marrë në konsideratë, sipas tij, veprimet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, të cilat Teherani i konsideron kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.