Vedat Muriqi mundohet të shuajë zërat e merkatos, por duket se as fjalët e tij mohuese ndaj largimit nga Fenerbahçe nuk i ndalojnë thashethemet e gazetave. Sulmuesi ka treguar një nivel shumë të lartë dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse kanë ndikuar në interesin e disa klubeve. Interes, që e konfirmon edhe vetë drejtori sportiv i klubit, Haluk Çanatar. Ky i fundit tregon se kërkesat për Muriqin janë të shumta dhe në adresë të Fenerbahçes kanë ofertuar në mënyrë serioze klube nga Premier Liga dhe Serie A.
“Ka kërkesa me shkrim dhe verbale nga Mbretëria e Bashkuar dhe Italia për transferimin e Vedatit. Nuk mund të zbuloj emrat e skuadrave për momentin, pasi kampionati është ende duke u zhvilluar. Nuk e di nëse ka mundësi që Fenerbahçes t’i bëhen oferta pa dijeninë time”, u shpreh ai. Klubi nga Stambolli nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtë “xhevahirin” e saj dhe Muriqi do të mund të ikë vetëm në këmbim të një oferte, që i afrohet 20 milionë eurove. Lacio, Totenhem dhe Uest Bromuiç janë klubet më të interesuara për gjigantin e sulmit.