Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria planifikon një fond prej 16 miliardë lekësh për ndërtimin e banesave kolektive në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, përjashtuar atë të Tiranës.
Gjatë një takimi, ku nisi shpërndarja e granteve për meremetimet e banesave të dëmtuara nga tërmeti, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Ahmetaj tha qeveria pritet të miratojë në mbledhjen e saj ditën e nesërme vendimin përmes së cilit i akordon Fondit Shqiptar të Zhvillimit 16 miliardë lekë për të filluar punën për ndërtimin e pallateve në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti, përveç bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, në fund të muajit shtator shqiptarët do të shikojnë nisjen e themeleve edhe në programin e banesave kolektive. Lidhur me grantet për meremetimin e banesave, ministri informoi se pritet që numri i familjeve që do të përfitojnë të shkojë në 24 mijë, ndërsa fondi 8.3 miliardë lekë.
Po ashtu, ai tha se janë 143 shkolla që janë në proces ose ndërtimi ose tenderimi.
Për sa i përket ndërtimit të banesave individuale, Ahmetaj bëri të ditur se partia e parë prej 668 shtëpish individuale që do të ndërtohen nga FSHZH nis javën që vjen.