Pas akordimit të fondit nga qeveria, në rajonet dhe njësitë administrative të bashkisë së Durrësit ka nisur nënshkrimi i kontratave mes bashkisë dhe qytetarëve përfitues për grantin e rikonstruksionit për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në nivelet DS1-DS2-DS3. Ky proces krejt i ri për të gjithë ka sjellë fluks në sportelet e rajoneve dhe njësive administrative respektive të cilat po punojnë me orar të zgjatur.

“Ne do të dorëzojmë këto letrat dhe të shohim çdo të na thonë. Me të marrë lekët direkt riparimet.” “Kam ardhur për t’u interesuar. Na ka dalë emri në listë dhe thjesht për të ditur si janë procedurat. Jemi te kategoria DS3, po nuk jemi të qartë.” “Akoma s’kam marrë bonusin e qirasë dhe jo të tjerët. Prit kur të dalin më thonë, por u bënë 4 muaj që s’kemi marrë fare.” “Procesi vazhdon normalisht, paralel me njoftimet e qytetarëve dhe ka goxha fluks. Problematika më e madhe është mbajtja e radhës, distanca. Ne jemi në dispozicion deri në orët e vona të darkës, deri në 12.00. “ tha Roland Cobani, administrator i Rajonit 1.

Për të lidhur kontratën qytetarët duhet të dorëzojnë numrin e llogarisë bankare, kartën e identitetit, si dhe të nënshkruajnë vetëdeklaratën për pasuritë e paluajtshme, por jo për të gjithë është një proces i lehtë. “Për një që di t’i lexojë e komentojë nuk është e vështirë, për dikë që nuk është marrë me dokumenta të tilla mendoj që është e vështirë.”

“Varet nga njerëzit, sipas moshës. Për ata që janë të njohur me kontratat që janë shabllon nuk kalon më shumë se 5 minuta. Për efekt vendi dikush i merr dhe i plotëson në banesë. Një kopje do t’u kthehet qytetarëve pasi të firmosë kryetari i bashkisë.” “Procesi është i rënduar. kemi aplikuar dhe kemi dhënë kartën e identitetit dhe numrin e llogarisë bankare. Pse bëhet dy herë? Për të lodhur njerëzit?! Është e tepërt, po duhet t’i bëjmë.

Mbajtja e maskës po respektohet nga qytetarët, po për të shmangur grumbullimet po shfrytëzohen si sportel edhe dritaret. Brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i kontratës nga të dyja palët, qytetari dhe kryetarja në detyrë e bashkisë Durrës, masa e grantit do të kalojë në llogarinë bankare të qytetarit për të nisur më pas riparimet e dëmeve.