Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylamenti, deklaroi sot se pavarësisht debateve dhe diskutimeve, “ajo që kemi arritur deri më sot ka pasur frymën e konsensusit”, duke iu referuar punës për Reformën Zgjedhore. Në një intervistë televizive deputetja Gjylameti tha se “edhe nga opinioni i ekspertëve u bë e qartë fare mirë se ndryshimet kushtetuese nuk cenojnë asnjë element që ngrihet si problematikë nga opozita jashtëparlamentare. Drafti, e më pas projektligji që ne miratuam në Kuvend, reflektonte jo vetëm shqetësimin, por edhe një pjesë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it”, – nënvizoi Gjylameti.
Sipas saj, ajo çfarë ngriti opozita jashtëparlamentare u reflektua në ndryshimet dhe amendimet përkatëse. “Në atë frymë po vazhdohet edhe në pjesën tjetër që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese. Do të duhet përsëri që palët të arrijnë të kenë një mirëkuptim dhe të ndërtohen ura komunikimi. Ne nuk mohojmë atë që përfaqëson opozita jashtëparlamentare, pra një pjesë të popullit shqiptar. Në këtë element unë besoj se sot mund të arrihet në një farë kompromisi për të arritur dhe për t’u qartësuar qëndrimi i të gjitha palëve”, theksoi Gjylameti.
Duke folur për pretendimet e Partisë Demokratike dhe opozitës parlamentare se ndryshimet kushtetuese synojnë heqjen e koalicioneve parazgjedhore deputetja Gjylameti u shpreh se “ky pretendim i opozitës është thjesht një alibi, përmes së cilës synon ta bllokojë këtë proces”. “Një tjetër pretendim i cili më shumë se pretendim është një lloj justifikimi për të bllokuar procesin që ka nisur. Në asnjë moment nuk flitet për heqje të koalicioneve. Ne jemi dakord që të reflektojmë edhe njëherë për formulën e koalicioneve, nëse gjendet një model i ngjashëm me modelin që kemi”, – theksoi ajo. Deputetja Gjylameti tha se “nëse gjendet në një prej vendeve të OSBE-ODIHR, jemi më se dakord me të njëjtën formulë që kemi. Ne duam të përafrojmë legjislacionin shqiptar. Ka qenë një pretendim për të bllokuar procesin e ndryshimeve”.