“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk cenon as në frymë, as në gërmë, në asnjë presje marrëveshjen e 5 qershorit”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti. Në një intervistë televizive, i pyetur për kërkesën e Partisë Demokratike për hapjen 100 % të listave Shameti tha se, “më vjen shumë mirë që më në fund Partisë Demokratike i erdhi zëri, në mënyrën e vet kuptohet, por që i erdhi zëri në të konverguarit me qëndrimin tonë për hapjen e listave”.

“Nuk është aspak e vërtetë që ne jemi për hapje të kufizuar. Është një dysheme, ajo që ne kemi përcaktuar në të dy nenet në të cilat do të ndryshojmë Kushtetutën prej jo më pak se 2/3-at e listës së kandidatëve në listën zgjedhore në qarqe të caktuara. Por kjo nuk ndalon në mënyrë kategorike asnjë subjekt politik, apo asnjë listë subjektesh politike që ta kenë të hapur 100% listën e kandidatëve që kandidojnë në një qark të caktuar. Pra do të jetë në diskrecionin e çdo subjekti politik kjo nëse do ta bëjnë 100% hapjen apo diçka më pak”, u shpreh Shameti.

I pyetur nëse beson se do të arrihet marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare, Shameti tha se, “qëndrimi politik dhe ligjor i kësaj mazhorance që nga miratimi në bllok i marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvend të enjten e kaluar ka qenë i pandryshuar dhe në bllok do të votojmë dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat u kaluan në mënyrë unanime në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjsilacionit”.

Ai tha se, “miratimi i këtyre ndryshimeve nuk cenon as në frymë, as në gërmë, në asnjë presje marrëveshjen e 5 qershorit. Nga ana tjetër miratimi i ndryshimeve kushtetuese, i cili është një fakt i kryer për mazhorancën socialiste tani dhe është formalitet miratimi pas 2 ditësh në Kuvend, është praktikë e pakteve të mbajtura nga ana e PS. Ashtu siç nënshkruam një marrëveshje për paktin e 5 qershorit me të gjitha partitë si ato parlamentare dhe ato jashtëparlamentare dhe asaj i qëndruam në bllok, ne i qëndrojmë edhe marrëveshjes për 30 korrikun, e cila do të miratohet po ashtu”.

“Të gjitha pretendimet e palëve më pas, si në Këshillin Politik, ashtu edhe në mbledhjet e përbashkëta të partive politike parlamentare dhe atyre jashtë parlamentare, do të shikohen në frymën e përmirësimit të Kodit Zgjedhor, pasi këto ndryshime kushtetuese nuk ndikojnë absolutisht fare në marrëveshjen e 5 qershorit, pra, në atë që ne miratuam dhe ndryshuam në Kodin Zgjedhor, sikurse dhe në përmirësime apo në elemente të tjerë teknikë që mund të përfshihen më vonë”, tha Shameti.

“Nuk ka heqje të koalicioneve me ndryshimet që parashikojnë këto dy nene të Kushtetutës sikurse e thashë më lart. Është absolutisht e mundur që disa subjekte politike të bëhen bashkë në një listë të përbashkët dhe të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Është praktika më e mirë e vendeve më të përparuara të Europës paraqitja në këtë mënyrë e subjekteve si koalicion në një palë zgjedhje parlamentare”, u shpreh Shameti.

“Sot paradite ekspertët e pavarur të thirrur në Këshillin Politik kanë dhënë përgjigje shteruese pyetjeve që kanë të bëjnë me mundësinë apo pamundësinë e krijimit të koalicioneve politike në zgjedhjet parlamentare dhe në mënyrë kategorike përgjigja është pozitive që është e mundur plotësisht që të kemi koalicione politike brenda të njëjtës listë të subjekteve politike. Kështu që çdo lloj qëndrimi tjetër është abuzim dhe nuk pasqyron të vërtetën”, tha Shameti.