Opozita që braktisi Parlamentin ka zbutur qëndrimin e saj për të diskutuar për ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave. Në kundërpërgjigje të reagimit të Damian Gjiknurit, PD-LSI thanë se nuk pranojnë që ndryshimet kushtetuese të bëhen fakt i kryer.

“Po ju përsërisim se në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer! Është gabim dhe miqësisht vlerësoni mundësinë për të reflektuar për këtë qëndrim të paprecedentë. Edhe në email tuaj ju e beni ndryshimin kushtetues fakt të kryer dhe na ftoni të dialogojmë sesi do ta detajojmë në ligjin ekektoral. Këtë fakt nuk pranoi Opozita në mbledhje dhe nuk mund ta pranojmë, sepse ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, dhe se ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur. Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.”

Përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili mohojnë që të kenë refuzuar ndonjëherë dialogun. Edhe një herë, ata kërkuan mbledhjen e radhës ditën e sotme.

“Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer. Unë dhe kolegu Vasili do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore. Shihemi neser! Ju përshëndesim!”-ishte reagimi i PD-LSI ditën e djeshme.