Procesi për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.
Përfaqësuesi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, këshilltari për Reformën Zgjedhore, Florian Hobdari, i pranishëm sot në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut tha se, “kur diskutohet tema e sistemit zgjedhor, është e shumë e rëndësishme të theksojmë, si gjithmonë, se OSBE-ja nuk ka qëndrim apo preferencë mbi përzgjedhjen e sistemit nga ana e një shteti pjesëmarrës. Kjo është arsyeja që ODIHR-i nuk nxjerr rekomandime në lidhje me ndryshimin apo modifikimin e sistemit. Përzgjedhja e sistemit zgjedhor përbën vendim sovran të çdo shteti, me kusht që sistemi të jetë në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare – duke garantuar, veçanërisht, respektimin e parimeve themelore të OSBE-së, si: vota universale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.
“Nëse një shtet pjesëmarrës i OSBE-së vendos të ndryshojë sistemin zgjedhor, ne mund të ofrojmë mbështetje për procesin nëpërmjet të cilit kryen këto ndryshime. Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”, tha ai.
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se në shtator të viti të shkuar, Prezenca organizoi një konferencë të gjerë, të nivelit të lartë, posaçërisht për këtë temë: për sistemin zgjedhor. Nëse ju do ta gjykoni me dobi për diskutimin tuaj, jemi të gatshëm t’ju vendosim në dispozicion të gjitha materialet e asaj konference – prezantimet nga ana e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe të gjitha diskutimet e zbardhura”, u shpreh Hobdari.
“Nga pikëpamja e rishikimit ligjor, Kuvendi është më se i mirëpritur t’i dërgojë ODIHR-it një kërkesë zyrtare me shkrim për dhënien e komenteve rreth projektligjit – kuptohet, duke marrë parasysh kohën që do t’i duhej ODIHR-it për të dhënë mendimin (kjo mund të luhatet nga pak ditë deri në një javë nga marrja e kërkesës)”, tha ai.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e ODIHR-it në Varshavë, vijon të jetë e gatshme të ofrojë ekspertizë teknike për të gjitha temat që lidhen me zgjedhjet, si dhe për të ndihmuar autoritetet vendase me zbatimin e vendimeve që zgjedhin të marrin”, përfundoi Hobdari.