Kroatët i janë drejtuar qendrave të votimit të dielën për të zgjedhur një qeveri që do të menaxhojë pandeminë në vijim të koronavirusit, pas një fushate elektorale që u dominua nga kriza e shëndetit publik.
Pandemia e ka vënë vendin anëtar të BE të varur shumë nga turizmi, në kurs drejt një kontraktimi prej rreth 10 për qind të ekonomisë, rënia më e thellë kjo në dekada. Konservatorët në pushtet të HDZ, janë mbështetur tek suksesi relativ i tyre në mbajtjen nën kontroll të virusit në Kroaci deri më tani, me një shifër zyrtare prej 100 viktimash dhe 3 mijë infektimesh. Por, një rritje e rasteve, javët e fundit, me dhjetëra infektime të reja cdo ditë, ka kthyer frikën për situatën e shëndetësisë dhe i ka dhënë opozitës më shumë zë.
“Të gjithë janë të frikësuar për atë që mund të ndodhë në vjeshtë”, thotë Vesna Trnokop, një ekonomiste 60 vjecare nga Zagrebi për AFP. “Koronavirusi ka ndryshuar ekonomitë, jo vetëm në Kroaci po kudo, Ndaj edhe ne duhet të ndryshojmë idetë tona”. Qendrat e votimit në vendin në Adriatik u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen 12 orë më vonë. HDZ pritet të arrijë një rezultat të ngushtë me opozitën e qendrës së majtë dhe rrezikon edhe të humbasë vota ndaj një lëvizjeje të re të krahut të djathtë që synon të arrijë vendin e tretë. Asnjë nga dy pretendentët kryesorë, kryeministri Andrej Plenkovic i HDZ apo koalicioni Restart i udhëhequr nga social demokratët, nuk pritet të fitojnë një shumicë komode në parlamentin me 151 deputetë, tregojnë sondazhet.