Pas 4 muajsh, ditën e nesërme pritet që të nisë transporti publik në kryeqytet. Dje, Bashkia e Tiranës njoftoi se kishte rënë dakord me shoqatat e transportit publik, duke bërë publike edhe rregullat që duhet të zbatohen nga të dyja palët. Nëse nuk zbatohen masa, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ketë ndëshkime me gjobë.
Protokolli i sigurisë që do të zbatohet
Çdo përdorues i transportit publik qytetas/rrethqytetas është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.
Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.
Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.
Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.
Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.
Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.
Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente. /gazetareforma