Lugina e Valbonës në Tropojë, Shishtaveci në Kukës, janë vetëm disa nga atraksionet turistike që ofron rajoni i veriut në vendin tonë, po projektet janë ambicioze për ta shndërruar zonën në një atraksion të jashtëzakonshëm turistik. Së pari, autoritetet lokale kanë marrë masa për mirëmbajtjen dhe promovimin e bukurive natyrore të zonës ndërkohë që me nisjen e sezonit turistik, janë të shumtë vizitorët nga Kosova.
Zenel Kuçana, prefekti i Qarkut të Kukësit, në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se Bashkia e Tropojës, Kukësit dhe Hasit kanë ndërmarrë disa nisma pastrimi për të ofruar një ambient sa më të përshtatshëm për mikpritjen e turistëve.
“Janë marrë një sërë masash në interes të turistëve. Jemi marrë me pastrimin e inerteve në akset kryesore të rrugëve. Në bashkinë e Tropojës, u realizua pastrimi nga sheshi i trageteve dhe më tej, komplet lugina e Valbonës. Në Has, u realizua pastrimi nga qendra Krumë në Qafë Prush dhe në Kukës, akset rrugore Kukës- Shishtavec dhe Kukës- Bushtricë. Të gjitha degët territoriale u përfshinë në këtë aksion, që ai turist që vjen këtu të kalojë disa ditë të këndshme.”,- tha Kuçana.
“Të premten e shkuar në Lugën e Valbonës, Bashkia Tropojës hapi zyrtarisht sezonin turistik. Lugina e Valbonës është një mrekulli që natyra na ka falur, ku çdo turist jo vetëm që mrekullohet, por mund të gjejë aty katër stinët e vitit brenda dy orësh”,- tha Kuçana.
Në Shishtavec, pista e skive më e madhja në Europë
Prefekti Zenel Kuçana tha se në Shishtavec pritet të realizohet projekti për ndërtimin e një piste skish, ndër më të mëdhatë në Europë.
“Në programin ‘100 fshatrat’, ne kemi katër fshatra, Valbona në Tropojë, Cahani në Has, Shishtaveci dhe Shtiqeni në Kukës. Ka plane në Shishtavec për ta kthyer në kënd turistik, një kompleks skish, ndër më të mirat në Europë, vetë terreni të bën për vete. Ka projekte dhe shpresojmë që do realizohen sa më shpejt, për ta kthyer në një atraksion të jashtëzakonshëm turistik për të gjitha sezonet. Liqeni i Kukësit është një atraksion i rëndësishëm turistik i qarkut. Kryebashkiaku i Kukësit e ka pastruar me administratën e vet. Por kjo nuk është zgjidhje, pasi mbeturinat vijnë nga Kosova, Prizreni, pasi i sjell Drini i Zi, duhet një marrëveshje ndërqeveritare dhe zgjidhje e përhershme”,- tha Kuçana.
“Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës rrit rëndësinë e këtij liqeni, pasi do ketë lundrim varkash e anijesh, duke e kthyer në një zonë tejet joshëse për turistët që do zgjedhin qarkun e Kukësit.
Prefekti i Qarkut të Kukësit, duke folur për kulinarinë shtoi se “secila zonë ka pjesën dhe traditën e vet qoftë në gatim, shërim, qoftë në ato pjesë turistike që e bëjnë të mundur joshjen e turistëve “,- përfundoi Kuçana