Tërmeti i 26 nëntorit të shkuar preku shumë rëndë zonën e Kombinatit në Tiranë, duke nxjerrë të pabanueshme disa pallate, të cilat sot po vlerësohen nëse duhën prishur për t’u rindërtuar, apo nëse ka mundësi për rikonstruksion. Bashkia e Tiranës nisi sot dëgjesat publike me inxhinierë ndërtimi dhe ekspertë, të cilët kanë kryer vlerësimet përkatëse për pallatet në fjalë, e në bazë të përfundimit të raportit të tyre do të merret vendimi për prishjen ose jo.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj siguroi qytetarët se fjala e fundit për marrjen e një vendimi të tillë u takon vetëm inxhinierëve të licencuar dhe ekspertëve, në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit. “Asnjë nuk e ka të lehtë kur largohet nga shtëpia, madje as kur ndërron një shtëpi ku ruan kujtimet e fëmijërisë, le më kur është i detyruar për shkak të tërmetit. Por, janë vendime të drejta e të rëndësishme që duhet t’i marrim sot. Për çdo studim të thelluar të një pallati ka 7-8 libra me raporte; ka gjithashtu, edhe oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit”, tha ai, në dëgjesën për vlerësimin e pallateve nr. 149, 151, 155 157, 160 165, 174, në Kombinat dhe Kashar.
Ai theksoi se në Këshillin Bashkiak janë miratuar 3 mijë pagesat e para për dëmshpërblimet cash, ndërsa shumë shpejt do të miratohet edhe lista me 3 mijë emrat e tjerë, deri në përmbylljen e plotë të 7 mijë dosjeve të mbetura. Veliaj siguroi se falë këtij ritmi pune, dëmshpërblimet do të mbyllen në kohë rekord. Gjithashtu, deri tani janë miratuar 200 kontratat e para individuale për dosjet e rindërtimit të kategorisë DS4-DS5, ndërsa po kryhet ekspertiza e thelluar për pallatet.
“Jam shumë i lumtur që Këshilli Bashkiak ka miratuar listën me 3000 emrat e parë. Qeveria e Edi Ramës ka disbursuar rreth 560 milionë lekë për fazën e parë. Do të kalojmë edhe 3100 emrat e tjerë, për ta mbyllur para pushimeve të verës procesin. Edhe nëse pas meremetimeve tepron diçka, nuk na detyrohen asnjë faturë mbrapsht, le të shkojë për pushimet e atyre familjarëve që u traumatizuan me dëmet që patën në shtëpi. Ndërkohë, miratuam 200 kontratat e para të shtëpive individuale DS4/DS5 dhe kemi marrë nga të gjitha studiot inxhinierike akt-ekspertizat për 92 objekte pallatesh, nga të cilat deri në këtë moment 52 kanë rezultuar për prishje, 10 për rikonstruksion, 8 në proces diskutimi, dhe të tjerat pa problematika”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se “KombinArt” është një nga projektet më ambicioze për 100 vitet e Tiranës Kryeqytet, që jo vetëm do t’i japë zgjidhje strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, por do të sjellë zhvillim të madh në Kombinat, duke e kthyer atë në polin më të ri të kryeqytetit për artin dhe kulturën. “Për lagjen e re që quhet ‘Kombinart’, e cila ndodhet vetëm në anën tjetër të rrugës, kemi parashikuar apartamente të reja falas për të gjitha familjet e prekura dhe një potencial zhvillimi afatgjatë, për të mos e kthyer në një geto me banorë të prekur nga tërmeti, por të jetë një lagje për 20.500 banorë, ku do ketë katër institucione të reja arsimore, shkolla, kopshte, çerdhe, 9 pika social-kulturore dhe 5 sheshe me shërbime të reja, si Sheshi i Teknologjisë, i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe ai i Gastronomisë, si hapësira rekreative të Kombinatit të ri”, tha Veliaj.
Ai theksoi se në këtë situatë të jashtëzakonshme është dashur të merren vendime të vështira, por të drejta. “Nganjëherë lipset të marrim vendime të vështira, por të drejta. Historitë si Astiri, Teatri, kanë gjithmonë rezistencë, por duhet të marrim vendime. Agonia e mungesës së vendimmarrjes na çon në kolaps, ndaj kjo është arsyeja pse parashikoj që për vendimet që do marrim sot e në vijim, mbledhjen e komisioneve të Këshillit Bashkiak do ta quajmë të hapur derisa t’i mbarojmë të gjitha dëgjesat, para se të shkojmë për votim. Jam i bindur se në afatgjatë historia do na dëmshpërblejë”, theksoi Veliaj.
Për vendimmarrjet për çdo objekt ka një akt-ekspertizë të thelluar, ku përgatitet një raport paraprak mbi studimin e materialeve të objektit që është ndërtuar, ekziston studimi inxhinieriko-sizmiologjik i asaj godine, studimi gjeologjiko-inxhinierik i godinës ekzistuese. Gjithashtu, është edhe një raport topografik, katalogu i dëmeve për akt-ekspertizën e thelluar, preventivi etj.