Bota nuk do t’i rikthehet normalitetit të mëparshëm në një të ardhme të parashikuar, theksoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë pas një dite rekord me 230 000 raste me koronavirusin e ri. “Virusi mbetet armiku publik numër një, por veprimet e shumë qeverive dhe personave nuk e pasqyrojnë këtë”, deklaroi për median drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus duke nënvizuar se shumë vende po shkojnë në drejtim të keq.
“Mesazhet kontradiktore nga drejtuesit minojnë përbërësin më thelbësor të çdo përgjigjeje, besimin”, shtoi ai pa përmendur emrat e tyre. Kreu i OBSH-së edhe një herë u bëri thirrje qeverive të komunikojnë qartë me qytetarët e tyre dhe të vendosin një strategji gjithëpërfshirëse për të eleminuar transmetimin dhe për të shpëtuar jetë, ndërsa u kërkon popullsive të ndjekin masat, siç janë respektimi i distancës, larja e duarve dhe mbajtja e maskës dhe vetëizolimi nëse sëmuren.
OBSH-ja njoftoi dje një rekord ditor të infektuarish me mbi 230 000 raste të reja në botë. Pjesa më e madhe e këtyre 230 370 rasteve dhe 5 285 viktimave të regjistruara më 12 korrik ishin nga shtetet e Amerikës së Veriut dhe Jugut, pasi vetëm në SHBA u regjistruan 66 281 raste. SHBA, shteti më i prekur në botë, tashmë ka më shumë se 3,3 milionë raste dhe 135 mijë të vd ekur.
Rekordi i mëparshëm global për raste të reja në harkun kohor të 24-orëve u shënua në 10 korrik me 228 mijë raste. Tri ditët e fundit kanë sjellë dhe tre shifrat më të larta të rasteve të reja për një ditë.