Nga Alfred Peza
Bëjnë gjithmonë të njëjtën gjë. Nuk është gjëja më e mirë që mund të bëjnë, por ama vetëm atë vazhdojnë të bëjnë. Para çdo zhvillimi të rëndësishëm politik, para çdo reforme të madhe legjislative, para çdo fushate elektorale, para çdo vendimarrje të madhe ndërkombëtare për Shqipërinë sillen njëlloj. E bëjnë pambarimisht pa i hequr asnjëherë asnjë presje, sepse me sa duket, është e vetmja gjë që dijnë të bëjnë!
Opozitarët tanë dijnë vetëm të kërcënojnë kundërshtarin politik, si të ishin personazhe të “Koncert në fund të Dimrit”, përmes “paralajmërimit numër 707 serioz”! Dijnë vetëm të të shajnë jo vetëm me libër shpie, por deri tek gjethja më e largët e degës më të fundit, të pemës gjenealogjike. Dijnë vetëm të të fyejnë, përmes goditjesh sistematike poshtë brezit, përtej çdo lloj etike dhe kodi të komunikimit publik.
Opozitarët tanë nuk të zhgënjejnë kurrë në qasjen e tyre. Në këtë kulturë a “modë” sjellje që nuk e has në asnjë demokraci tjetër normale të botës së qytetëruar. Siç nuk zhgënjyen, as këtë radhë. Madje, as përpara, as gjatë dhe as pas votimit në seancën plenare të së enjtes së 30 korrikut në Kuvend, ku u votuan ndryshimet kushtetuese që lidhen me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë dhe koalicionet paraelektorale me një listë unike, të partive pjesëmarrëse në to!
Iu kërkua që të arrinin konsensus me PS dhe opozitën paralamentare, në tyrezën e Këshillit Politik, por refuzuan. Duke mos harruar në asnjë rast që të vazhdonin vetëm të kërcënonin. Iu kërkua që të ofronin një model, një sistem, një shembull, një kazus për idenë e tyre të hapjes 100% të listave, pa e ndryshuar mënyrën aktuale “alla shqiptare” të kompozimit të koalicioneve parazgjedhore. Por nuk sollën. Sikundër nuk reshtën së shari, së fyeri, së kërcënuari, së bëri presion përmes agresionit verbal.
Edhe pasi u votua pa i ndryshuar asnjë presje marrëveshja e arritur me ta më 5 Qershor. Edhe pse PS nuk reshti së shtriri dorën për të diskutuar në mënyrë konstruktive marrëveshjen me opozitën e re parlamentare. Edhe pse iu tha që ndryshimet kushtetuese do të votohen. Edhe pse ato morën jo vetëm votat e PS por të plot 106 deputetëve të Parlamentit. Edhe pse këto ndryshime u mbështetën nga BE, nga SHBA, nga Parlamenti Europian, nga Gjermania e shumë aktorë e faktorë të tjerë ndërkombëtarë, sërisht vazhdojnë që të bëjnë të njëjtën gjë. Presion. Sharje. Kërcënime…
Këtë kanë bërë jo vetëm në këtë rast, por në mënyrë sistematike sa herë që kanë qenë në opozitë përballë mazhorancave socialiste. E kanë bërë edhe përpara se të vinin në pushtet për herë të parë në vitin 1992. E kanë bërë pasi edhe ikën nga pushteti në vitin 1997. E bënë për tetë vjet me radhë përballë mazhorancës socialiste të Fatos Nanos deri në 2005, kur u rikthyen në pushtet. Atëherë kur duhet pranuar se kjo filozofi u eci. Ndaj vazhdojnë ta bëjnë pa u ndalur, edhe për 7 vjet me radhë, që nga 2013. Megjithëse e dinë shumë mirë, se kjo mënyrë për të fituar diçka që nuk u takon, nuk u ecën më.
Opozitarët tanë bazohen vetëm tek morali i forcës për të mundur kundërshtarët e tyre të majtë. Ndërkohë që historia e demokracive moderne na mëson se vetëm nga e kundërta, përmes forcës së moralit, opozitat mund të pushtojnë zemrat e qytetarëve. Vetëm përmes klimës së besimit, organizimit, programit dhe ekipit, arrihet që të ngjizet e përhapet fryma e madhe e ndryshimit. Kjo është e vetmja mënyrë për tu rikthyer përmes uraganit të votave të shqiptarëve në pushtet.
Jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, por opozitarët tanë i dogjën mandatet e përfaqësimit edhe kur populli ua besoi ato. Nuk qëndruan brenda Parlamentit, sepse më shumë kishin besim tek rruga e rrugës për të ardhur në pushtet, sesa tek sistemi demokratik. I bojkotuan zgjedhjet, sepse besuan se pushteti mund të fitohet, edhe duke bojkotuar! E në vend që për këtë të fajësojnë veten, lidershipin e tyre, filozofinë e tyre të moralit të forcës, vazhdojnë të ndjekin të vetmin shteg që i ka çuar nga humbja në humbje.
Arsyet se përse lidershipi i opozitës sonë ka rënë në këtë batak, mund të jenë të pafundme dhe nuk mund të analizohen të gjitha brenda këtyre radhëve. Por një gjë është e sigurtë. Se kjo sjellje të kujton atë thënien e njohur amerikane se “herët ose vonë, fati gjithkujt i troket në derë. Por jo të gjitha ia hapin, sepse ai vjen i veshur, me rroba pune”!
Duke dashur që ta fitojnë pushtetin jo përmes punës, jo nëpërmjet ideve, programeve dhe alternativave dhe forcës së moralit, opozitarët tanë i janë falur me sa duket përgjithmonë, rrugës më të shkurtër. Duke harruar se “rruga më e shkurtër, të nxjerr gjithmonë më gjatë”!